Një bisedë e zhvilluar në aplikacionin “Whatsapp” mes bashkëshortes së tij me shtetësi turke, Nazli Karagoz dhe Eri Zefit, ka shërbyer si indicia e parë që të krijonte bindjen se 36-vjeçari Zefi mesnatën e 1 tetorit 2019 ishte nxjerrë në prite dhe vrarë me 6 plumba, dy në kokë dhe katër në trup.
Një muaj më parë në fshatin Zallë Xhoxhë të Mirditës u vra një njeri i pafajshëm, babai i një fëmijë të mitur që në jetën e tij nuk kishte kryer asnjë krim. Fatkeqësia e këtij njeriu ishte se vëllai i tij Ndue Zefi, kishte vrarë disa muaj më parë në Durrës Martin Ndrecën, dhe për pasojë të dyja familjet kishin hyrë në gjakmarrje.
Pas ngjarjes si familje kanë dërguar njerëz për tu pajtuar, konkretisht një person me emrin Gjet Gjoni, nga fshati Thirrë-Mirditë, por familja e Ndrecës nuk ka pranuar t’i falin. Pas vrasjes Eri Zefi dhe bashkëshortja e tij së bashku me fëmijën e tyre, kanë lëvizur me banim nga qyteti i Durrësit në qytetin e Tiranës, ku kanë marrë banesë me qira në zonën e “Freskut”, për arsye sigurie, pasi familja e viktimës Martin Ndreca, nuk kanë pranuar të pajtohen. Kjo familje ka dhënë gjashtë muaj “besë”, për njërin nga vëllezërit Zefi, Nikolinin, për të dalë jashtë, ndërsa vëllain tjetër Erin nuk i kanë dhënë asnjë ditë “besë”.
Sot, njeriu kryesor i dyshuar për vrasjen e Eri Zefit, është shoku i tij i ngushtë Mikel allias Gjovalin Alia. Pikërisht ky person mendohet se e ka nxjërrë në pritë Zefin. Alia, për mëse dy javë ka qëndruar i fshehur duke ju shmangur drejtësisë, por sot është paraqitur me avokatin e tij në polici dhe është vetëdorëzuar, duke mos pranuar pjesëmarrjen në vrasje. Ndërsa dy bashkëpunëtorët e tij vijojnë të jenë në kërkim policor. Prokurori i çështjes Erjon Shehaj i është drejtuar me një kërkesë gjykatës së Lezhës, duke kërkuar caktimin e masës së “arrestit në burg” për Mikel Gjovalin Alliu.
Por sot “Shqiptarja.com”, zbardh të plotë dinamikën e këtij krimi të rëndë dhe mënyrën se si është nxjërrë në pritë Eri Zefi nga shoku i tij Mikel Aliu, duke e joshur për të vjedhur hashash në fshatin Fanë.
Nga deklarimi i marrë bashkëshortes së viktimës, Nazli Karagoz kjo e fundit ka deklaruar se në 1 tetor 2019, rreth orës 19:20, ka qenë në shtëpi, ku bashkëshorti i saj Eri dhe i ka thënë se do të takonte dy shokë në Tiranë, me të cilët do të shkonte në Fanë-Mirditë, për të grabitur bimë narkotike “canabiss sativa”. Ajo ka shpjeguar se ka komunikuar disa herë me bashkëshortin nëpërmjet aplikacioneve sociale me video, ku ka parë se ka qenë i ulur në një lokal në lagjen ku banojnë, duke pritur për tu takuar me shokët e tij dhe për herë të fundit ka komunikuar rreth orës 22:44, i cili i ka thënë se; “…jam tu ikë për Fanë..”.
Më tej ajo ka shpjeguar se bashkëshorti i saj ishte në hasmëri me familjen e Martin Ndrecës, i cili është vrarë nga kunati i saj. Në deklarimin e marrë vëllait të viktimës Nikolin Zefi, ku i fundit ka shpjeguar se në muajin shkurt të këtij viti vëllai i tij i quajtur Ndue Zefi, ka vrarë me armë zjarri Martin Ndrecën, me origjinë nga fshati Thirrë-Mirditë, por ka jetuar prej rreth 20 vitesh në fshatin Adriatik-Kurbin, të cilin e kanë pasur komshi. Vrasja ka ndodhur në Kënetë-Durrës, në një lokal pasi janë konfliktuar për motive të dobëta. Në lidhje me këtë ngjarje vëllai është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në burgun nr.302 – Tiranë.
Shkrimi në Whatsapp që ngriti dyshimet e para
“…më datë 1 tetor 2019, Antoni ka dalë nga shtëpia rreth orës 09;30-10;00, për të shkuar tek puna dhe është kthyer rreth orës 18:00. Pasi ka ardhur në shtëpi dhe ka qëndruar rreth një orë, me sa mbaj mënd rreth orës 19;00, ka komunikuar në telefon me një person dhe pas bisedës më ka thënë se:“..jam duke dalë për të takuar dy shokë për punë…”. Pasi unë ngula këmbë duke i kërkuar arsyen se përse do shkonte me ata në atë orë të vonë më ka thënë: “…do shkojmë për të grabitur hashash në Fanë, me shokët që më telefonuan…”. Dua të theksoj se bashkëshorti ka pasur në përdorim numrin celular 0699418XXX. Pasi ka dalë nga shtëpia rreth 25 minuta më pas, rreth orës 19:40, unë kam komunikuar në rrjetin “Whatsapp”, me bashkëshortin me video, ku kam parë se ai ishte ulur në tavolinën e një lokali dhe kishte porositur një kafe dhe një shishe ujë dhe ishte vetëm duke pritur shokët e tij që e telefonuan. Gjatë bisedës bashkëshorti më tha se: “…nëse nuk iki për Fanë, për një gjysmë ore vi në shtëpi…”. Rreth orës 20:44, më ka shkruar në “Whatsapp” duke më thënë: “…do hik sipër…”, pra që unë e kuptova se ai po shkonte në Fanë-Mirditë. Pasi e kam pyetur se me kë je, ai më ka thënë duke më shkruar në “Whatsapp”: “…me dy shokë…”. Rreth orës 00:01, më ka shkruar në “What’s up”: “…10 përqind baderi kam jet…”. Dua të theksoj se fjalën “baderi”, bashkëshorti im nuk e ka përdorur kurrë, por përdorte fjalën “karikim” dhe dyshoj që mesazhin e fundit, mund të mos e ketë shkruar ai…” – ka pohuar bashkëshortja turke e viktimës. Kjo e fundit ka vazhduar shkrimin në këtë aplikacion deri në orën 3 të natës por askush nuk është përgjigjur në telefon.
Komunikimi 13 herë në telefon me Zefin
Nga të dhënat e tabulateve telefonike ka rezultuar se Gjovalin allias Mikel Alia një personazh me precedentë penale ka biseduar në datën 1 tetor 2019, 13 herë me shokun e tij Eri Zefi, dhe kontaktet e tyre janë shkëputur në mesnatë, pikërisht në kohën kur është qëlluar për vdekje Eri Zefi. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e Alia, ky i fundit nuk është gjetur në banesë dhe me gjithë kërkimet e zhvilluara nuk është bërë e mundur gjetja e tij, deri ditën e sotme. Është pyetur edhe gruaja e Mikel Alia, e cila ka deklaruar se bashkëshorti i saj në 1 tetor 2019, ka qëndruar në shtëpi gjatë gjithë kohës dhe me datë 2 tetor 2019, rreth orës 10;00, ka dalë nga banesa dhe nuk është kthyer më dhe nuk ka dijeni se ku ndodhet. Dëshmia e dhënë nga bashkëshortja e viktimës, përputhet me rrethanat e ngjarjes, nisur nga vendi ku është gjetur kufoma, këqyrja e kufomës, i cili nuk rezulton të ketë shenja dhune përveç dëmtimeve me armë zjarri.
Eri Zefi u mashtrua – U tërhoq në kurth dhe u ekzekutua
Nga dinamika e ndërtuar prej prokurorisë së Lezhës se 36-vjeçari Eri Zefi, është shoqëruar dhe tërhequr në kurth për tu vrarë nga persona të njohur, deri në vendin e ngjarjes, i cili e ka kontaktuar duke e mashtruar se do të grabisnin lëndë narkotike “Cannabis Sativa”. Personi që e ka kontaktuar viktimën në kohën që deklaron bashkëshortja e tij, pra rreth orës 19;20 ka zhvilluar bisedën e lartpërmëndur, rezulton të jetë pikërisht Mikel allias Gjovalin Alia. Gjithashtu rezulton se viktimës i është marrë edhe telefoni i tij celular, ç’ka përforcon edhe më tepër bindjen se autori ka pasur si qëllim të zhdukë provat e komunikimit të tij me viktimën. Gjithashtu nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se numri i Mikel Alia dhe numri i Eri Zefi, lëvizin në të njëjtën kohë nga qyteti i Tiranës, për në drejtim të Kurbinit, ku dhe logohen për herë të fundit në të njëjtën kohë 22;38, ku më pas të dy numrat celular janë jo-aktiv, pra rezultojnë të mbyllur, ç’ka tregon se kemi të bëjmë me një sinkronizim të veprimeve të viktimës me të dyshuarin Mikel Alia.
Gjatë fazës së hetimit është arritur të identifikohet lokali ku ka qëndruar viktima Eri Zefi, pasditen e datës 1 tetor 2019, sipas fotos që i ka dërguar bashkëshortes së tij nga një lokal në Tiranë, i cili kishte kamera sigurie, ku pas marrjes dhe këqyrjes së këtyre pamjeve, ka rezultuar se viktima Eri Zefi vjen i vetëm në lokal, rreth orës 19;36 dhe ulet në një nga tavolinat e verandës.
Nga pamjet filmike rezulton se viktima komunikon në telefon në sekuencat filmike 20;04 dhe 20;07, të cilat nga analiza e tabulateve telefonike të bëra, rezulton se ka komunikuar pikërisht me numrin celular në përdorim nga Mikel (Gjovalin) Alia, i cili thotë prokuroria, në këtë kohë lokalizohet nga antena, konkretisht në zonën ku ndodhej lokali ku pinte kafe viktima. Pas telefonatës që i ka bërë Mikel allias Gjovalin Alia, viktima ka dalë nga lokali dhe është larguar, duke u nxjerrë në pritë përballë hasmëve të tij nga shoku i ngushtë Mikel allias Gjovalin Alia./shqiptarja