Teksa opozita ka zhvilluar deri më tani 6 protesta kombëtare, dhe Rama i ka dërguar letrën e gjashtë publike kreut të PD-së, Lulzim Basha, ende palët nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët, për të arritur në një tryezë.
Fevziu, i ftuar në emisionin “Ditë për Ditë”, në Tv Klan, u shpreh se Shqipëria ndodhet në momentin më të rrezikshëm të mundshëm, si pasojë e krizës politike që ka mbërthyer vendin.
“Jemi në momentin më të rrezikshëm të mundshëm. E kam thënë shumë herë, njerëzit nuk e besojnë. Jemi në një moment shumë delikat.
Shqipëria ka një precedent, ku gjetja e një marrëveshje pak më vonë se sa koha reale, mund të shkaktojë kaos. Sepse kjo do shkojë në një marrëveshje.
Një vonesë prej 6 ditësh në vitin 1997, e çoi vendin në luftë. Negociatat nisën më 26 Shkurt dhe u mbyllën me 6 Mars.
Po të kishin nisur me 26, dhe të ishin mbyllur me 28 Shkurt, gjërat do të kishin qenë ndryshe, sepse shpërthimi ndodhi me 1 Mars. Nganjëherë orët mund të sjellin katastrofë. Shpresoj shumë që kjo s’do të ndodhë”, tha Fevziu.