Dy fëmijë të tjerë të infektuar me Covid-19 janë nisur me urgjencë ditën e sotme në Tiranë. Raportohet se dy të miturit nga Berati 2 vjeç dhe 3 vjeç, kanë rezultuar pozitivë me virus dhe është vendosur që ata të dërgohen për mjekim të specializuar drejt kryeqytetit. Përsa i përketë ndarjes nga jeta të vogëlushes A. P., mësohet se ajo ka pësuar “komplikacion vaskular” dhe gjendja shëndetësore është rënduar menjëherë.
3-vjeçarja ka qëndruar disa ditë në intubim dhe fatkeqësisht dje ka mbyllur sytë përgjithmonë. Burime nga Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, bëjnë me dije se vogëlushja kishte mbërritur në këtë repart me temperaturë të lartë, rreth orës 11:00 të ditës së dielë. Ajo është trajtuar nga mjeku pediatër Vanion Çinari me serume dhe antipiretikë, ka kryer analizat e gjakut si dhe i është nënshtruar edhe tamponit, i cili ka rezultuar “pozitiv”.
Meqënëse ka rezultuar e prekur me Covid-19 dhe gjendja e saj nuk ishte e rënduar, mjeku e ka shtruar të miturën në Repartin e Infektivit të Pediatrisë. Vetëm disa orë më vonë, e mitura është rënduar në mënyrë të menjëhershme, duke shfaqur komplikacione në rrugët e frymëmarrjes. Sipas mjekëve të pediatrisë, mendohet se fëmija ka pësuar “komplikacion vaskular”.
Për këtë arsye mjekët e kanë transportuar të miturën me autoambulancë dhe të shoqëruar nga mjeku pediatër Çinari drejt Spitalit Covid në Tiranë, ku edhe gjeti vdekjen. Mësohet se të miturës i është kryer në Tiranë edhe autopsia mjeko-ligjore, për të përcaktuar edhe shkaqet e vdekjes./joq