Botohen në Fletoren Zyrtare ndryshimet në Kodin Penal për dhunën në familje dhe për masën e dënimit nga gjobë deri në burg nëse shkelen përcaktimet e vendosura nga autoritetet në kuadër të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.
Ndryshimet u miratuan në 16 prill, u dekretuan nga Presidenti në 22 prill, dje u botuan në Fletoren Zyrtare dhe pas 15 ditësh futen në fuqi, në 7 maj.
Ndryshimet e bëra në Kodin Penal për COVID-19
Gjobë ose burgim deri në 6 muaj nëse nuk zbaton urdhrat
Gjobë ose deri në 2 vite burg për bizneset që nuk zbatojnë urdhrat
Nga 2 deri në 3 vite burg nëse je ose jo mbartës i sëmundjes dhe nuk zbaton karantimin apo izolimin
Nga 2 deri në 5 vite burg nëse përhap me dashje sëmundjen mbartëse
Gjobë ose 2 vite burg kur kjo vepër penale bëhet nga pakujdesia
Nga 3 deri në 8 vite burg kur kjo vepër ka shkaktuar pasoja të rënda
Ndryshimet e plota të botuara në Fletoren Zyrtare
Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “kodi penal i republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar në mbështetje të neneve 81, pikat 1 dhe 2, shkronja “d”, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetesh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
VENDOSI:
Në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
Ndryshimet për dhunën në familje
Neni 1
Neni 130/ a ndryshohet si më poshtë:
“Neni 130/a
Dhuna në familje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune fizike, psikologjike, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim deri në tre vjet.
Kanosja serioze për vrasje ose plagosje të rëndë, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit psikik të tij, dënohet me burgim deri në katër vjet.
Plagosja e kryer me dashje, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt (të paralindur, të paslindur, vëllezër, motra, ungjër, emta, nipër, mbesa, fëmijë të vëllezërve dhe të motrave), ose krushqi e afërt (vjehërr, vjehrrë, dhëndër, nuse, kunat/ë, thjeshtri, thjeshtra, njerku e njerka), ose në lidhje apo ish-lidhje intime me autorin e veprës penale, që ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë më tepër se nëntë ditë, dënohet me burgim deri në pesë vjet. Po këto vepra, të kryera në mënyrë të përsëritur, ose në praninë e fëmijëve, dënohen nga një deri në pesë vjet burgim.”.
Masat mbi shkelësit për situatën e COVID-it
Neni 2
Pas nenit 242 shtohet neni 242/a me kёtё përmbajtje:
“Neni 242/a
Moszbatimi i masave të autoriteteve shtetërore gjatë gjendjes së masave të jashtëzakonshme apo gjatë gjendjes së epidemisë moszbatimi ose kryerja e veprimeve në kundërshtim me aktet ligjore apo nënligjore të nxjerra nga organet shtetërore, në funksion të gjendjes së epidemisë apo të zbatimit të masave të jashtëzakonshme, nga personi, ndaj të cilit është dhënë më parë masë administrative, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në gjashtë muaj.
Po kjo vepër, kur është kryer në ushtrim të aktivitetit tregtar, duke vendosur në rrezik shëndetin e njerëzve, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
Moszbatimi i urdhrit të dhënë nga organet kompetente për karantinim ose izolimin, apo shkelja e rregullave të karantinës ose të izolimit nga personi mbartës ose jo i sëmundjes infektive, të cilit i është njoftuar ky detyrim nga autoritetet shtetërore përkatëse, dënohet me burgim nga dy deri në tre vjet.”
Neni 3
Pas nenit 89/a shtohet neni 89/b me kёtё përmbajtje:
Neni 89/b
Përhapja e sëmundjeve infektive
Përhapja me dashje e sëmundjes infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin, nëpërmjet kryerjes së veprimeve ose mosveprimeve nga personi që është diagnostikuar si mbartës i sëmundjes apo nga personi që ka qëllim përhapjen e saj, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Kur kjo vepër është kryer nga pakujdesia, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin ose rrezik për jetën e njerëzve, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet.
Neni 4
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare
Miratuar nё datёn 16.4.2020
Shpallur me dekretin nr. 11463, datë 22.4.2020 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.