Botohet vëllimi poetik “hajdutja e natës” me 112 poezi e autores Feraset Pezaku Vladi.
*Të nderuar Miq dhe lexues të rregullt të librit!
Si një dhuratë e çmuar për festat e fundvitit, Shtëpia Botuese Prestigjoze “ERIK” nxorri nga shtypi
dhe e vuri në qarkullim vëllimin tim më të ri poetik
me titull “Hajdutja e natës” me 112 poezi.
Këtë vëllim do ta gjeni në libraritë e Tiranës, Durrësit, Kavajës, si edhe online.
Në këtë kompleks botimesh kam gjetur përkushtimin
perfekt më cilësor e profesional, realizimin e dëshirave e kërkesave të mia si autore që e kërkoj mjaft cilësinë, gjë të cilën e gjej të realizuar nga ky personel i mrekullueshëm ku bashkohet mikpritja dhe kultura e komunikimit njerëzor.
Falenderimet dhe mirënjohja ime shkon për personelin krijues dhe ekzekutues të kësaj shtëpie botuese!
PARATHËNIE
Rruga e krijimtarisë poetike e autores Feraset Pezaku Vladi na solli përsëri edhe një vëllim të ri poetik me titull “Hajdutja e natës”. Kjo prurje e re, me 112 poezi solli me vete edhe origjinalitetin e krijimtarisë së saj
që spikat nga libri në libër. Nëpërmjet temperamentit krijues, inteligjencës, bagazhit të njohurive dhe kulturës poetike, autorja vjen përsëri tek lexuesi me ndjesi qytetare dhe risi të reja artistike duke i çuar më tej tiparet e krijimtarisë së saj.
Përsosja e fjalës si mjet i parë shprehës bëhet kryefjalë e fisshme në ligjëratën e poezisë së saj duke e vënë atë në odeonin e krijimtarisë së vet.
Mozaiku i tematikave, pasuria e figuracionit dhe ritmit të vargut, zbërthimi logjik i mesazheve, zotërimi i formave poetike, përdorimi me mjeshtëri i figurave letrare, i metaforave të fuqishme, ekuilibri i ruajtjes së masës dhe arkitektura e vargut i japin këtij vëllimi poetik më shumë dritë e qiell të hapur. Poezia e saj me ngarkesë intelektuale është këngë zemre, e pakompromistë, është qëndrimi i saj ideo-emocional ndaj fenomeneve të jetës, prandaj dhe informacioni që jep ajo bëhet emocional.
Aq e gjërë është gjeografia e tematikës së saj, sa ajo udhëton nëpër tabllo kohërash duke evokuar dritën epiko-heroike të thellësive, dhe herë-herë bashkohet në barrikadën e rënkimit të zërit shoqëror kundër padrejtësisë së kohës, korupsionit, polaritetit të jetës dhe emigracionit si plagë e hidhur me ëndrra të vrara. Poetja duke i parë fenomenet në lëvizje e zhvillim shoqëror, ndalon në tabllon e shpirtit ku derdh dashurinë e të gjitha dashurive në vargje lirike për atdheun, që nis nga lulja e fushës me bletën mbi polen, stafetën e valëve me pulëbardhat mbi krifa e deri tek kënga e bujarisë së diellit të jetës dhe e hënës dashuri që shoqëron netët e pagjumëta të poetes, nga ku merr spunto e del edhe vetë titulli i këtij vëllimi poetik.
Energjia e vargut të saj ka thellësi mendimi, është dinamik e filozofik, i etur për të rrokur sintezën e nevojës që ka shpirti i njeriut. Frymëzimin autorja e merr po nga vetë jeta, nga poetika e saj dhe e njeriut, nga krijimtaria marramendse e mendjes dhe dorës së tij, e merr nga shoqëria në zhvillim, nga gjendja e saj sociale, nga epika dhe lirika e truallit të vet ku u rrit e jeton. E gjithë kjo tabllo e gjërë krijuese e bën poezinë e kësaj autorje të jetë një kontributore e kultivimit të shpirtit të ri qytetar që e kërkon e sotmja dhe e nesërmja. Ky shpirt epik dhe lirik përherë në zgjim, vjen nëpërmjet mijëra vargjeve të librave të saj të botuara dhe ulet të pushojë në duart e lexuesve duke u dhuruar atyre copëza shpirti me panorama ngjyrash stinore.
Me daljen nga shtypi të këtij vëllimi të ri poetik i urojmë
autores suksese dhe krijimtari të begatë!
— REDAKSIA
Botohet vëllimi poetik “hajdutja e natës” me 112 poezi e autores Feraset Pezaku Vladi.
Loading...