Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, komenton shifrat e larta të infektimeve dhe viktimave nga koronavirusi në muajt e verës në vend.
Në një postim të gjatë në ‘Facebook’, Brataj thekson se pavarësisht rritjes së shifrave agresiviteti i virusit nuk i njëjtë me muajt mars-prill, pasi në të vërtetë, siç thekson mjeku, nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë.
Sipas mjekut të njohur, “Numri i të infektuarëve edhe pse u rritën kapacitetet e testimit ka pasur një maksimum deri në 178 të infektuar në ditë dhe vazhdon të jetë më pak se 200! Pra nuk është 1.000-2.000 në ditë! Është ulur numri i thirrjeve për Covid -19 në këtë periudhë. Është ulur numri i skedave të persona me shenja dhe simptoma për tampon. Është ulur numri i vizitave në përgjithësi dhe për Covid në banesë”.
Mesazhi i Bratajt:
Kemi nevojë për LAJME TË MIRA!! Interpretim personal!
Para dy javësh bëra share(shpërndarje) të një statusi të Dr. Crisanti, një kolegu italian ku përshkruante se mënyra e hapjes ose lirimit të masave duhej të ishte bërë në mënyrë më graduale. Kjo do të kishte çuar në një kursim jetësh dhe në një numër më të ulët të vdekjeve. Ky material ishte në gjuhën italiane dhe i përkiste Italisë. Dikush e përkëtheu dhe titujt e gazetave bën të vetën duke trumbetuar që Brataj deklaron se në shtator do të kete 1.000-2.000 të infektuar! Kjo nuk është e vërtet sepse siç e thashë më lart i përkiste Italisë dhe jo Shqipërisë dhe nuk ishte shkrimi im por thjesht një shpërndarje, për të kujdesin që duhet treguar hap pas hapi.
Tani le të kthehemi te realiteti shqiptar!
Kam deklaruar disa herë gjatë muajit korrik dhe gusht se do të kishte rritje të numrit të të infektuarëve, të të sëmurëve dhe vdekjeve gjë e cila tregoi dhe vërtetoi atë që thashë sidomos gjatë dy muajve të fundit.
Po ashtu kam deklaruar se detyrimi i maskës në ambientet e mbyllura dhe në transportin publik, respektimi i rregullave të distancës fizike, dhe mos lejimi i shkeljes së këtyre rregullave, do të ndikonte në uljen e infeksionit! Masat ndikuan!
Rritja maksimale e infeksionit ka pasur një ecuri tipike sipas datave të hapjes së lirimit të masave. Data e fundit ishte transporti publik, ajo e 17 korrikut. Në javën e tretë pas hapjes pati një rritje të të infektuarëve duke arritur maksimumin në fundin e javës së katërt, tipike e sjelljes së virusit. Infektimi ka qenë në masën 20.6% në muajt korrik dhe gusht por me një pik rreth 30.03 %. Po ashtu vdekshmëria është rreth 3.1%. Pra nuk ka pasur rritje të vdekshmërisë. Kjo tregon se argesiviteti i virusit nuk është i njëjtë me muajt mars-prill.
Numri i të infektuarëve edhe pse u rritën kapacitetet e testimit ka pasur një maksimum deri në 178 të infektuar në ditë dhe vazhdon të jetë më pak se 200! Pra nuk është 1.000-2.000 në ditë!
Është ulur numri i thirrjeve për Covid -19 në këtë periudhë.
Është ulur numri i skedave të persona me shenja dhe simptoma për tampon.
Është ulur numri i vizitave në përgjithësi dhe për Covid në banesë.
Jam shprehur disa herë në lidhje me temperaturat e larta dhe ndikimin e saj në mbijetesën e virusit! Ka pasur dhe ka kritikë që janë gati çdo thënje të ta kujtojnë dhe interpretojnë sipas dëshirës, ta shtrembërojnë informacionin e kështu me radhë. Mjeksia është një shkencë dinamike që ndryshon shumë shpejt, por parimet bazë nuk ndryshojnë. Dihet që viruset janë të ndjeshëm karshi temperaturave të larta, por besoj që edhe ky virus nuk mund të jetë shumë më ndryshe të tjerët!
Çfar ka ndikuar?
Qëndrimi në ambientet e hapura nuk lejon rritjen e përqindjes së virusit.
Sipas meje temperatura e lartë luan një rol të madh në uljen e mbijetesës së këtij virusi dhe uljen e agresivitetit të tij.
Ventilimi sidomos në zonat bregdetare ka qënë i rëndësishëm
Jam i kësaj ideje sepse po të kemi parasysh lëvizjen e madhe të njerëzve në këto tre muaj nga Tirana, qytete të tjera, Kosova dhe Maqedonia drejt qyteteve bregdetare si: Saranda, Himara, Dhërmiu, Vlora, Durrësi, Lezha, Velipoja e tjer, numri i të infektuarëve, të sëmurëve, të vdekjeve duhet të ishte shumë më i madh sesa numri i të infektuarëve në Tiranë, apo Kosovë! Pra edhe pse ka pasur një numër shumë të lartë të infektuarish dhe bartës të virusit të ardhur në këto zona, nuk kemi rritje të infektuarish, të sëmurësh apo rritje të numrit të vdekljeve në këto qytete.
Në këtë periudhë ka shumë të infektuar pa shenja dhe simptoma, siç kemi thënë edhe më pare, ose shenja të lehta për dy-tre ditë.
Aparati respirator është më i godituri nga kjo sëmundje.
Sëmundja Covid-19 ka ndryshuar mënyrën e shfaqjes së saj, nuk është agresive si në fazën e parë. Kjo duket edhe nga dy qëndrimet që mbajtën shtete të ndryshme në fillim të Pandemisë. Ato që u mbyllën patën dhe kanë më pak vdekje. Ato që nuk bën mbyllje patën dhe kanë një numër më të madh vdekjesh dhe kjo lidhet me agresivitetin e virusit e cila është më e madhe në fazën e parë të infeksionit, asaj të Mars-Prillit. Edhe kjo është tipike e të gjitha viruseve në përgjithësi, të cilët janë agresiv dhe shkaktojnë një infektim dhe përkeqësim të sëmundjeve të tjera dhe vdekshmëri më të lartë në fazën e parë dhe më pak virulent në fundin e sezonit. Ndërsa numri i të infektuarëve në këtë moment nuk ka diferenc të madhe midis këtyre shteteve dhe zgjedhjeve të tyre! Pra përgjigja fillestare ndikoi shumë në numrin e vdekjeve! Imunizimi i tufës midis vendeve që u mbyllë dhe atyre që nuk u mbyllën është i pa përfillshëm!
Sars/Cov2 është pjesë e familjes së viruseve dhe sado i ndryshëm që të jetë do ti nënshtrohet rregullave të natyrës.
Nuk ka infeksion viral që nuk ka një fillim dhe një fund!
Nuk duhet të neglizhojmë në këtë periudhë pasi fillojnë shkollat, ulen teperaturat, rriten kontaktet nëpër lokale të mbyllura e të tjera.
Për këtë arsye
Mbaj maskën në ambjentet e mbyllura
Ruaj distancën fizike
Respekto rregullat e higjenës
Mos lejo të tjerët ti shkelin ato.
Së bashku do ja dalim
Dr.Skender Brataj