Mjekët, farmacistët, stomatologët, e infermierët do t’i nënshtrohen provimit të shtetit për profesionet e mjekësisë deri në fund të janarit të 2019-ës. Testimi do të zhvillohet edhe për fizioterapistët, logopedistët, mamitë, teknikët e imazherisë dhe teknikët e laboratorit. ‘Gazeta Shqiptare’ zbardh sot emrat e 325 stomatologëve e 192 mamive që do të testohen si dhe datat përkatëse për secilin kandidat.
Gjithashtu, gazeta publikon edhe emrat e 77 teknikëve të laboratorit si dhe emrat e 102 teknikëve të imazherisë që do ti nënshtrohen provimit të shtetit. “Provimi i shtetit do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (më poshtë QSHA) me adresë: Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Nr. 23 (ish-godina e ATSH), Tiranë. Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 min. para fillimit të provimit të shtetit”,-thekson Qendra e Shërbimeve Arsimore.
Dokumentacioni
Në ditën e provimit kandidati duhet të ketë me vete letërnjoftimin (Kartë ID ose Pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të Kartë ID ose Pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA në një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes. “Për paraqitjen në qendrat e provimit kandidati duhet të ketë parasysh rregullat e mëposhtme: ndalohet marrja me vete dhe përdorimi i celularëve dhe mjeteve të tjera të komunikimit gjatë zhvillimit të provimit, pasi kjo vlerësohet si kriter s’kualifikimi; ndalohet duhani, dhe konsumimi i ushqimit në mjediset e provimit; ndalohet komunikimi gjatë zhvillimit të provimit”,-bën me dije QSHA.
Kandidatët duhet të verifikojnë emrin, atësinë, mbiemrin, si dhe datën dhe orën e provimit në faqen zyrtare të QSHA. Ligji “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” në nenin 7 thekson se personi, që kërkon të ushtrojë një profesion të rregulluar, duhet të ketë përfunduar programin përkatës të akredituar të studimit dhe/ose kualifikime profesionale në atë profesion, të cilat vërtetohen me dokumente zyrtare, të lëshuara brenda ose jashtë vendit dhe të njohura në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.(Balkanweb)