Britania nis testimin e vaksinës kundër COVID-19 me 500 vullnetare

Shkencëtarët në Universitetin e Oxfordit janë gati të nisin testimin e një vaksine tek njerëzit nga kjo e enjte, 510 vullnetarë të moshës 18 deri 55 vjec do të jenë pjesë e kësaj faze të rëndësishme e cila do të marrë kohë deri në vjeshtë.

Sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock bëri të ditur se edhe një projekt i dytë në Imperial College London po vijon punën për zbulimin e vaksinës.

MATT HANCOCK

SEKRETAR I SHENDETESISE, BRITANI E MADHE

“Në planin afatgjatë mënyra më e mirë për të mposhtur koronavirusin është përmes një vaksine. Të dyja këto projekte premtuese po bëjnë përparim të shpejtë, shkencëtarët që i udhëheqin ato, kanë mbështetjen tonë të plotë. Edhe 44.5 milion paund do të shkojnë për projektet në Oksford dhe Londër të cilat nisin fazën e testimit në njerëz.”

Edhe në Gjermani është miratuar testimi klinik tek njerëzit ku fillimisht do të marrin pjesë 200 vullnetarë. Ndërsa në Francë vijon një studim mbi trajtimin që mund t’u ofrohet pacientëve me koronavirus deri në gjetjen e vaksinës.

Shkencëtarët po shfrytëzojnë të dhënat që janë marrë nga viruset SARS dhe MERS ndërsa në këtë projekt po marrin pjesë 3200 të sëmurë nga disa vende të Europës.

Ndërkohë pandemia në kontinent duket se ka arritur në një nivel të qëndrueshëm dhe vendet po konsiderojnë planin e hapjes graduale në javët e para të muajit maj.

Britania e Madhe vijon të raportojë bilance më të ashpra ditore në krahasim me vendet e tjera, ndërsa Spanja edhe sot ka raportuar një rënie të ndjeshme të numrit të viktimave. Ekspertët e shëndetësisë paralajmërojnë vendet që të shtojnë kapacitetet e testimit përpara se të heqin dorë nga izolimi.

Loading...