Bukuritë e Valbonës magjepsin të huajt – Mbi 1 mijë vizitorë vetëm këtë fundjavë

Vjeshta me ngjyrat e saj i ka shtuar hijeshinë luginës së Valbonës, në Tropojë, e cila vetëm këtë fundjavë ka tërhequr me mijëra vizitorë vendas e të huaj.

E konsideruar një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse Parku Kombëtar i Valbonës është një ndër parqet më të frekuentuar nga turistët e huaj.

Kryetari i bashkisë së Tropojës, Rexh Byberi, tha për ATSH-në se “vetëm fundjavën që lamë pas në parkun kombëtar të Valbonës erdhën mbi 1 mijë turistë”.

Sipas tij, shumica e vizitorëve ishin vendas, por nuk mungonin edhe turistë nga Kosova dhe vende të tjera si Italia, Gjermania, Suedia, Polonia, Çekia etj.

Në bujtinat e Valbonës, ndërtesa kryesisht dykatëshe të stilit tradicional, me çati të pjerrëta e në të rrallë edhe me tjegulla, vizitorët gjejnë ushqime tradicionale, shtrojë e mbulojë, pra, gjithçka duhet dhe një peizazh stinor mahnitës.

“Turistët kanë shfaqur interes të veçantë për natyrën duke bërë hiking në mal dhe duke shijuar gatimet tradicionale të zonës në bujtinat e banorëve të luginës së Valbonës, të cilët janë përgatitur për vërshimin e vizitorëve”, – tha Byberi.

Përveç vizitorëve, ky park u vizitua edhe nga të rinj të apasionuar pas alpinizmit, të cilët kanë përshkuar shtegun turistik nga Valbona në Theth.

Drejtuesi i guidës turistike të qytetit të Kukësit, Ermal Hallaçi, tha për ATSH-në se “këtë fundjavë së bashku me një grup alpinistësh nga qytete të ndryshme të vendit vizitova parkun kombëtar të Valbonës dhe Thethin”.

Sipas tij, të shumtë ishin turistët që vizitonin shtegun nga Valbona për në Theth dhe anasjelltas.

“Shtegu Valbonë -Theth që lidh të dy parqet kombëtare brenda hapësirës së Alpeve është shtegu me lëvizjen më të madhe të turistëve. Vetëm një shoqatë alpiniste që e takuam rrugës kishte në përbërje të saj rreth 130 alpinistë, ndërsa nuk mungonin grupe të tjera me alpinistë që i ndeshnim rrugës”, – shprehet Hallaçi.

Hallaçi tha se “alpinistët shijuan peizazhin e mrekullueshëm që ofron ky vend, bënë hiking nëpër shtigje duke shijuar bukurinë dhe biodiversitetin që ofron kjo zonë”.

Lugina e Valbonës, një nga bukuritë e rralla natyrore të vendit tonë, vazhdon të tërheqë çdo ditë e më shumë turistë vendas e të huaj. Fundjavat janë dhe piku më i lartë i këtij fluksi. Rruga deri në Valbonë është një mrekulli më vete me peizazhe pyjore e ujore, male e lugina mbresëlënëse.

Lundrimi me tragetin Koman-Fierzë paraqet një atraksion të vërtetë turistik për këdo që viziton Tropojën dhe Valbonën në të katër stinët. Por, janë dhe dy rrugë të tjera që të çojnë në luginën e bukur.

Njëra kalon nga Kukësi, Hasi, Tropojë e Vjetër, Valbonë dhe tjetra nga Prizreni, Gjakova, Valbonë. Lugina këto ditë është e ngjyrosur nga stina e vjeshtës që paralajmëron stinën e bardhë. /atsh

Loading...