Bullgaria kërkon zyrtarisht që Shqipëria të shkëputet për procesin e Integrimit drejt Bashkimit Evropian nga Maqedonia e Veriut.
Teksa ka konfirmuar edhe një herë veton e saj për nisjen e bisedimeve për anëtarsimin në BE gjatë një takimi të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të BE-së, ministria e Punëve të Jashtme në Bullgari, tha Maqedonia e Veriut duhet të përmbushë kriteret për të zhbllokuar procesin.
“Fatkeqësisht, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk i mbulon kriteret për zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare”, tha pas takimit ambasadori i Bullgarisë në BE, Rumen Aleksandrov.
Ai shtoi se Shqipëria duhet të vlerësohet e pavarur nga Maqedonia e Veriut, bazuar në arritjet e saj. Aktualisht, procesi i dy shteteve është i lidhur së bashku dhe vetoja e Sofjes ndaj Shkupit bllokon edhe fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE edhe me Shqipërinë.
Aleksandrov gjithashtu vuri në dukje se Bullgaria ka propozuar disa opsione për tejkalimin e çështjeve me Maqedoninë e Veriut lidhur me të drejtat e njerëzve me kombësi bullgare, si dhe me zbatimin e traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy shteteve.
“Partnerët tanë në Republikën e Maqedonisë së Veriut duhet të bëjnë angazhime specifike detyruese, një pjesë e të cilave të përmbushet në afat të shkurtër dhe pjesa tjetër të përfshihet në kërkesat e kornizës së ardhshme të negociatave. Derisa kjo të ndodhë, nuk mund të pritet përparim në procesin e zgjerimit me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, tha Aleksandrov.
Bullgaria ishte nën presionin ndërkombëtar për të zhbllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pak ditë më parë, senatorët e SHBA Klaudia Teni dhe Uilliam R. Keting, të dy anëtarë të Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës, i kërkuan Sofjes të gjente një kompromis dhe të zgjidhte situatën.
Në një letër drejtuar ambasadorit të Bullgarisë në Uashington, Tihomir Stoytchev, ata shkruanin se bllokimi i mëtejshëm i procesit do të hapte derën për ndikim më të fortë rus dhe kinez në rajon.