Bayern Munich iu rikthye Bundesligës pak a shumë aty ku e kishte lënë.
Pas ndërprerjes së gjatë për shkak të pandemisë së koronavirusit kampionët në fuqi vijuan rrugën e fitoreve, duke mposhtur brenda në kryeqytet debutuesit e Unionit të Berlinit.
Si zakonisht, për ekipin bavarez e zhbllokoi rezultatin golashënuesi më i mirë i kampionatit gjerman, Robert Lewandowski, që në fund të pjesës së parë shënoi golin e tij të 26-të në këtë edicion të Bundesligës.
Goli i katërt për sulmuesin e mirënjohur polak nga pika e bardhë e 11-metrave dhe njëkohësisht hera e 14-të në këtë sezon të kampionatit gjerman që 31-vjeçari nga Varshava hap ndeshjen për “të kuqtë”. Rezultati i duelit me Leipzigun është harruar krejtësisht, sidoqoftë, ai barazim është i vetmi në 12 ndeshjet e fundit për formacionin e drejtuar nga trajneri i ri, Hans-Dieter Flick, dhe për rrjedhojë me një ecuri të tillë Bayerni po afrohet gjithmonë e më tepër me titullin e tetë rresht në Bundesligë.
Deri në mbylljen e kampionatit mbeten tetë ndeshje për t’u luajtur dhe, për hir të së vërtetës, klubin nga Mynihu e pret një kalendar vërtet shumë i vështirë, kështu që 3 pikët në sfidën e radhës, në shtëpi me Eintrachtin e Frankfurtit shndërrohen vetvetiu në detyrim për këtë ekip.
Kampionët në fuqi do të përballen me kundërshtarë shumë të fortë dhe ndoshta fati i këtij edicioni do të përcaktohet nga dy ndeshjet që Bayerni do të ketë jashtë fushe me Borusian e Dortmundit dhe Bayer e Leverkusenin, impenjime që ekipi i drejtuar nga Hansi Flik është i shtrënguar t’i luajë jo vetëm larg Bavarisë, por gjithashtu edhe në harkun e dy javëve të ardhshme, ndërsa dueli me Borussian e Monchengladbachut do të mbahet në mesin e muajit të ardhshëm, brenda në “Allianz Arena”.
Takimi i Javës së 27-të me Eintrachtin do të zhvillohet në orën 18:30, pikërisht në këtë impiant, dhe do të jetë vërtet shumë e vështirë për të parë të zbrazur dhe pa spektatorë një stadium madhështor, siç është “Allianz Arena”, me kapacitet 75.000 vende.
Hansi Flik nuk do të ketë në dispozicion sërish emra të tillë si Coutinho, Sule, Tolisso dhe Javi Martinez, ndërkaq janë riaftësuar plotësisht Kingsley Coman dhe sulmuesi tjetër Jann – Fiete Arp, ndërsa gjendja e kroatit Ivan Perisic mbetet për t’u vlerësuar, sepse 31-vjeçari i ardhur në formë huazimi nga Interi ka pësuar një dëmtim në kavilje.
Gjendja në skuadër duket e mirë, madje në Berlin golin e sigurisë e shënoi mbrojtësi i përfaqësuese franceze, Benjamin Pavard, goli i tretë për 24-vjeçarin në këtë edicion të Bundesligës dhe i pari që nga fundi i muajit tetor, kur kampioni i botës i shënonte pikërisht ekipit të Unionit.
Në krahun tjetër, Eintrachti, që ka për të rikuperuar edhe takimin e prapambetur me Werderin, pozicionohet në vendin e 13-të, 5 pikë larg zonës së “play out”-it dhe te miqtë do të mungojnë Dominik Kohr, Goncalo Paciencia dhe Marco Russ. Gjithsesi, situata te “shqiponjat” është përkeqësuar ndjeshëm dhe trajnerit austriak Adi Hutter po fillojnë t’i digjen këmbët, pasi disfata 1-3 brenda në “Commerzbank – Arena” e javës së kaluar me Gladbachun përfaqëson humbjen e katërt radhazi për klubin nga Frankfurti në kampionat.
Përpara dy vjetësh, “shqiponjat” i thyen të kuqtë në mënyrë surprizë pikërisht në “Olympiastadion”, në finalen tradicionale të Kupës së Gjermanisë, që mbahet si zakonisht në kryeqytet, ndërsa në fazën e parë Eintrachti i shpartalloi kampionët në fuqi brenda në “Commerzbank – Arena” me rezultatin e thellë 5-1, sidoqoftë dy ekipet do të matin forcat sërish më datë 9 qershor në “Allianz Arena”, për fazën gjysmëfinale të Kupës së Gjermanisë.
Më herët, në orën 15:30, Wolfsburgu do të presë në shtëpi Borussian e Dortmundit. Javën e kaluar verdhezinjtë u rikthyen me një fitore të madhe 4-0 ne derbi ndaj Shalkes, ndërsa “ujqërit” ia dolën për të mundur brenda në Bavari ekipin e Augsburgut, falë golit të shënuar në kohën shtesë nga sulmuesi shtatlartë, Daniel Ginczek.
Në “Signal Iduna Park”, javën e kaluar Erling Haland e gjeti rrjetën vetëm një herë, duke shënuar pikërisht golin e parë të takimit, gjithsesi, falë golit të 10 sezonal 19-vjeçari po ngjit me shpejtësi shkallët në renditjen e golashënuesve më të mirë të Bundesligës. Verdhezinjtë regjistruan në këtë mënyrë fitoren e pestë radhazi dhe të 8-ën në 9 sfidat e fundit në kampionatin gjerman, ecuri tepër pozitive falës së cilës Dortmundi është katapultuar në vendin e dytë, me vetëm 4 pikë më pak se kampionët në fuqi, madje duelin me Bajernin ekipi i drejtuar nga zvicerani Lucien Favre do ta ketë të martën e ardhshme pikërisht në Westfalen Stadion, transmeton SS.
Në “Volkswagen Arena”, Admir Mehmedi do ta fillojë takimin përsëri si titullar pas sulmuesit të përzgjedhur, që me shumë gjasa pritet të jetë golashënuesi më i mirë i skuadrës, holandezi Wout Weghorst, që në Augsburg mungoi për shkak të kartonëve. Vendasit janë një “kockë e fortë” dhe për momentin ekipi i drejtuar nga austriaku Oliver Glasnner pozicionohet në vendin e gjashtë, pra brenda zonës eeropiane, sidoqoftë verdhezinjtë duket se i kanë “ujqërit” gjahun e tyre të preferuar, sepse Borusia ka fituar 8 nga 9 përballjet e fundit ndërmjet tyre në kampionatin gjerman.