Bushati: Duam një marrëveshje të drejtë për detin me Greqinë

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati deklaroi në emisionin “Real Story” se Greqia ka pranuar të diskutojë për ndarjen e detit pas shumë vitesh. Sipas kreut të diplomacisë shqiptare kjo është një mundësi që duhet shfrytëzuar.

“Pas 10 vitesh Greqia ulet në tryezë për të diskutuar këtë çështje dhe duam një marrëveshje të drejtë”, – u shpreh ai.

Ministri Bushati shpjegoi se çfarë përmban paketa e bisedimeve me Greqinë.

“Ne jemi në proces negocimi të një pakete të plotë. Deti i rëndësishëm, por jo vetëm. Menaxhimi i piramidave kufitare dhe menaxhimi i incidenteve kufitare, janë dy çështje që marrin rëndësi për ne edhe në dritën e zhvillimeve të fundit. Ligji i Luftës që merr rëndësi për ne dhe bashkë me paketën që e shoqëron”, – theksoi Bushati.

Por kreu i diplomacisë theksoi se klima nuk është e mirë pas incidentit të Bularatit.

“Një klimë agresive apo helmatisje e debatit, impakton edhe bisedimet mes Shqipërisë dhe Greqisë”.

Bushati tha se në shtetin fqinj nuk është mirëpritur finalizimi i marrëveshjes.

“Në Greqi nuk është mirëpritur procesi që jemi përfshirë. Ka pasur debat mes opozitës dhe pozitës”.

Ditmir Bushati, deklaroi se për marrëveshjen e detit me Greqinë nuk është diskutuar asnjëherë me Turqinë, “me asnjë përfaqësues të shtetit turk, kjo çështje s’ka qenë në tryezën e bisedimeve”.

Ditmir Bushati iu përgjigj edhe pretendimeve të deputetit Sali Berisha.

“Marrëveshja e 2009, mitet që janë ngritur nga Sali Berisha. Nëse ne i “falim” Greqisë 1200 m2, Greqia vjen në Dhërmi. Nëse i “falim”, 2400 m2 Greqia vjen në Adriatik.

Berisha në Parlament ka akuzuar Turqinë për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi marrëveshjen e detit.

“Lufta mes Turqisë dhe Greqisë, zhvillohet në detin Egje”, – tha ministri Bushati.

Ministri tha se për marrëveshjen me Greqinë ka mbështetjen edhe të Presidentit Ilir Meta. “Presidenti besoj është në të njëjtën linje me qeverinë. Aq më tepër sepse është promovues i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë”.

“Parimi bazë i marrëveshjes së 2009 ka qenë ekuidistanca, pa pasur parasysh çështjet e tjera që ka evidentuar Gjykata Kushtetuese”.

“Nëse marrim 2400 m2 ne Greqisë, apo ata neve, do përfundonim në shtëpitë e njëri-tjetrit. Greqia me Shqipërinë ka vetëm 1 pikë në të cilën implementohet parimi i konventës për 12 miljet”, – përfundoi Bushati. /atsh

Loading...