Buxheti 2019 është më i miri në 5 vite, ka në themel konsolidimin fiskal, rritje ekonomike me 4.3% dhe është i jetësimit të Reformës në Drejtësi”, tha për ATSH, deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja.
Në krye të herës, deputeti i PS-së, Manja shprehet se projektligji “Për buxhetin e vitit 2019” i propozuar nga Këshilli i Ministrave, është akti më i rëndësishëm i procesit të ligjbërjes në jetën e një parlamenti që projekton ekonominë e madhe të shtetit por edhe ekonominë e vogël të familjeve shqiptare si projeksion afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë.
Ne si maxhorancë, shton Manja, themi që ky është buxheti më i mirë i yni në 5 vjet të qeverisjes socialiste dhe ka në themel konsolidimin e mëtejshëm fiskal, rritjen ekonomike, por edhe vazhdimësinë e reformave kryesore, ku më e rëndësishmja është reforma në drejtësi ndërsa opozita thotë se ky është buxheti që varfëron shqiptarët dhe është i njëjti në 5 vjet të qeverisjes socialiste !
Manja shprehet se buxheti nuk ka kundërshti, ka një opozitë pa program, pa vizion
“Deri këtu, opozita bën detyrën e saj si opozitë sepse në fund të fundit programi politik dhe ekonomik i çdo opozitë në botë është dhe duhet të jetë i kundërt me me atë të qeverisë. Por opozita jonë nuk na thotë se me kë e debatoi buxhetin e vitit 2019, kur dihet që është në bojkot të komisioneve dhe Kuvendit, kush janë ekspertët e opozitës që e panë me laps e letër këtë buxhet etj, sepse më rezulton që deri tani për buxhetin e vitit 2019, ka folur vetëm zj.Tabaku dhe znj.Duma por jo z. Basha si udhëheqësi vizionar i opozitës së bashkuar! Mirëpo të kërkosh diçka të tillë nga opozita jonë mua më duket luks i tepërt po të kemi parasysh që kemi përballë një opozitë pa program, pa vizion dhe pa lidership politik”, shprehet ai.
Manja thekson se me këtë buxhet ekonomia rritet 4.3% dhe është buxheti më i mirë në 5 vite.
Gjithsesi, shton Manja, kjo është punë e tyre , por për ne si maxhorancë që kemi përgjegjësinë e qeverisjes por njëherazi edhe të të bërit opozitë të vetvetes buxheti i vitit 2019 është buxheti më i mirë i yni në këto 5 vjet qeverisje por sigurisht, jo ai që ne do të donim të ishte nëse nuk do kishim trashëguar një Shqipëri pa çati e pa tavan, pa shtet dhe me financa të rënduara.
Po ashtu deputeti i PS-së Manja shton se “me këtë buxhet ne synojmë rritje ekonomike në nivelin 4.3%, sigurim të një niveli të lartë të investimeve publike prej 5% e PBB si dhe një defiçit buxhetor në nivelin 1.9% të PBB, që është niveli më i ulët i targetuar në ligjin vjetor të buxhetit në dy dekadat e fundit”.
Më tej Manja pohon se ky është buxheti i jetësimit të Reformës në Drejtësi
“Dhe si Kryetar i Komisionit të Ligjeve në fushën e përgjegjësisë të të cilit është administrata publike , pushteti vendor dhe pushteti gjyqësor ky buxhet meriton të quhet me plot gojën si buxheti i jetësimit të plotë të Reformës në Drejtësi si kryereforma e të gjitha reformave që ka ndërmarrë Shqipëria pas vitit 1990, gjë e cila tregon seriozitetin dhe vendosmërinë e qeverisë së z. Rama për ta çuar deri në fund zbatimin e kësaj reforme kyçe për sundimin e ligjit dhe integrimin e Shqipërisë në BE. Për të garantuar suksesin e reformës në drejtësi, në projekt-buxhetin e vitit 2019, është programuar një fond rezervë i sistemit të drejtësisë prej 1.5 miliard lekë”.
Gjithashtu, Manja argumenton kur flet porsa i përket buxhetit në Reformën në Drejtësi, ku shprehet se “Fondi rezervë i sistemit të drejtësisë do të përdoret deri në 1 miliard për financimin e pagave të reja të magjistratëve dhe deri në 500 milion lekë për krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në bazë të standardeve moderne evropiane dhe në përputhje me zbatimin e ndryshimeve të fundit ligjore të tilla si KLGJ, KLP, SPAK dhe BKH dhe ILD”.
Në vijim, Manja shton se “Projektligji për buxhetin e vitit 2019 reflektohen parashikimet e bëra nga ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, në lidhje me sistemin e pagave të magjistratëve, nga 1 janari i vitit 2019 gjyqtarët dhe prokurorët e sistemit do të marrin pagat e reja pa dallim. Projekt-buxheti 2019 siguron gjithashtu vijimin e mbështetjes për tre organet e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke garantuar burimet e nevojshme financiare dhe njerëzore, për të përmbushur qëllimit të ushtrimit të funksioneve në mënyrë të plotë e të pavarur, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Buxheti në ndihmë të organit të Vetingut, shprehet Manja, duke vijuar me argumentin e tij se “Vetëm pak kohë më parë Kuvendi miratoi një shtesë personeli prej 24 punonjësish në nivel këshilltarësh ekonomikë dhe juristë por dhe personel ndihmës për të tre organet e Vetingut si dhe miratoi ndryshim të klasës së pagës për funksion për disa kategori punonjësish të tyre duke martë në konsideratë të gjitha kërkesat e tyre”.
Një zë i rëndësishëm i buxhetit shton, Manja është dhe konsolidimit dhe forcimit të administratës publike.
“Po ashtu ky buxhet vjen i konsoliduar dhe me rritje edhe për sa i përket mbështetjes së forcimit të kapaciteteve të administratës publike dhe konsolidimit të financave vendore dhe implementimit të plotë të ndarjes së re administrativo-territoriale mjafton ti referohemi shifrave: Buxheti i pushtetit vendor për vitin 2019, do të jetë rreth 11 përqind më i lartë se ai i 2018-ës ose 5 miliardë lekë më shumë fonde për shërbime dhe investime publike. Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme e buxhetit të shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore do të jetë 1 përqind e PBB-së ose 1 miliard lekë më e madhe se sa ajo e vitit 2018”, shprehet ai.
Duma: Buxheti 2019 antisocial
Partia Demokratike e konsideron buxhetin 2019, si antisocial, godet me papunësi, njerëzit me ndihmë ekonomike, pensionet dhe të përndjekurit politikë.