Buxheti 2019 për Vlorën – Investimet në infrastrukturë 26.4 miliardë lekë

Investimet që e tranformuan Vlorën në simbol të zhvillimit

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/- Investimet që po zbatohen në infrastrukturën e qytetit të Vlorës e kanë shndërruar qytetin perlë të rivierës shqiptare, në simbol të zhvillimit bashkëkohor dhe me standarde.

Drejtori i Autoritet Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro u shpreh sot në Vlorë, se projektbuxheti i vitit 2019 për infrastrukturën rrugore, është buxheti më i madh financiar me vlerë 26.4 miliardë lekë, ose 10 % më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

“Gjatë vitit 2018 kemi mbyllur 80% të gjithë projekteve të nisura shumë vite më parë dhe kemi hapur disa projekte të reja të ndërtimit të rrugëve”.

Konkretisht, tha ai, kemi përfunduar unazat e Tiranës, fazën e parë në rrugën e Milotit, Lin-Pogradec, Korçë-Ersekë, Përmet–Këlcyrë dhe shumë akse të tjera nacionale.

Gjithashtu, tha Qendro, kemi përfunduar disa projekte të rëndësishme mbi sigurinë rrugore. Kemi përfunduar projektin për rehabilitimin e të gjitha urave problematike në Shqipëri dhe plotësimin me sinjalistikë të akseve rrugore nacionale, si dhe parashikojmë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët.

“Kemi kthyer në një model suksesi mirëmbajtjen e rrugëve, projekt me vlerë 22 milionë euro, – tha Qendro, duke renditur akset rrugore të nënshtruara mirëmbajtjes, – që nga Shkodër-Murriqan, Tiranë-Durrës hyrje-dalje Pogradec, në Fier dhe akse të tjera”.

Kreu i ARRSH-së bëri të ditur se, pas një historie disavjeçare do të fillojë puna për bypass-et e Fierit dhe të Vlorës. Ndërkohë që në kuadër të projekteve rrugore në korridorin Veri- Jug, ka filluar zbatim i projekteve të Partneritetit Publik Privat. Është duke u zbatuar normalisht projekti i Rrugës së Arbrit dhe do të fillojnë tri projekte të tjera: Milot-Balldren, Thumanë-Kashar, Orikum – hyrja e Llogorasë, tha Qendro.ATSH

Loading...