Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë shqyrtimit në Komisionin e Sigurisë të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020”, për Ministrinë e Brendshme u shpreh se sfida më e madhe është shtimi i numrit të punonjësve të Policisë së Shtetit, pasi sot vendi ynë ka policinë më të vogël në rajon. Kjo, sipas tij, po bëhet përmes përgatitjes për t’u përfshirë në strukturat e Policisë së Shtetit të mbi 900 të rinjve e të rejave, numër që do të vijojë të rritet në vitet në vazhdim.
“Shqipëria ka numrin më të vogël të punonjësve të Policisë sot në rajon e më gjerë. Na duhet të shkojmë në mbi 20 mijë punonjës. Sot kemi 11058.
Ne synojmë të kemi 500 plus vitin e ardhshëm. Do forcojmë strukturat e ndërhyrjes në raste krizash. Në çdo qark duhet të shtojmë disa grupe të gatshme që duhet të ndërhyjnë shpejt, pasi patrullat nuk mund t’i zgjidhin. Sot Akademia e Policisë ka 900 studentë e kursantë, një numër që s’e ka pasur asnjëherë më parë. Ne arritëm sivjet të hapim një kanal që të tërheqim studentë të ekselencës. Kemi mbyllur kursin e parë, ku arritëm të marrim nga 300 kandidatë, 36 ekselentë që përfunduan me sukses edhe kursin e policisë kriminale,” – u shpreh Lleshaj.
Ministri tha se një tjetër fushë ku do investohet vitin e ardhshëm janë edhe godinat e komisariateve të cilat do rishpërndahen sipas popullsisë.
“Ne kemi program për të gjitha komisariatet, të cilat do të rindërtohen sipas një modeli. Tani po mbyllet projekti. Kemi dhe një plan për rishpërndarjen e tyre sipas popullsisë. Synimi është që t’i afrojmë komisariatet te njerëzit. Tirana është 5-fishuar, komisariatet janë po ato. Duam të shtojmë numrin e komisariateve në kryeqytet. Është një investim i madh për vendin,” – deklaroi ai.
Tenderave të përvitshëm me uniformat e policisë do t’i jepet fund në vitin 2020, tha ministri i Brendshëm.
“Shpresoj që brenda këtij viti të zgjidhet formula e pajisjes me uniformë të punonjësve të Policisë. Punonjësit do të marrin paratë që t’i blejnë vetë uniformat në subjekte të licencuara. Jo tendera çdo vit, jo procedura që dështojnë çdo vit. Fillimi i 2020-ës do e gjejë këtë situatë të zgjidhur,” – u shpreh Lleshaj.
Ministri tha se po rishihet edhe funksioni i Policisë Bashkiake si dhe i elementëve të sigurisë rrugore në të gjitha bashkitë.
“Ne po rikonceptojmë rolin e policive bashkiake. Janë struktura rudimentare dhe në disa raste të shkatërruara. I janë kundërvënë edhe fizikisht Policisë së Shtetit. Po merren masa në ligj që të shmangen situatat e pakëndshme që u evidentuan vitin që shkoi. Në bashkëpunim me strukturat e pushtetit vendor po marrim masa të rrisim sigurinë rrugore. Do detyrojmë pushtetet vendore të vendosin semaforë. E dyta, për monitorimin e akseve kombëtare. Teknologjia mundëson revolucion në këtë fushë dhe ne do bëjmë hapa të rëndësishëm për ta monitoruar përmes sensorëve, kamerave, etj.,” u shpreh ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj. /atsh