Buxheti, 3 miliardë lekë për ujësjellës dhe trajtimin e ujërave të zeza në bregdet

Trajtimi i ujërave të zeza në zonat bregdetare dhe projekte infrastrukturore për ndërtimin e ujësjellësve të rinj, do të jenë në fokusin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2019.

Ministri Damian Gjiknuri tha në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin se “3 miliardë lekë do të investohen nga buxheti i shtetit për ujësjellës kanalizime për vitin 2019”.

“Investimet në këtë sektor janë përqendruar kryesisht në zonën bregdetare, por do të ketë edhe projekte të huaja të cilat zënë një pjesë të mirë të fondeve në këtë sektor, për të trajtuar edhe problemin e ujërave të zeza në zonat bregdetare”, – tha ai.

Parashikohet që vitin e ardhshëm të marrë zgjidhje edhe çështja e mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit. Ministri tha se “janë akorduar fondet edhe për zgjidhjen e problemit me mbetjet urbane që ka qyteti i Durrësit”. Dy janë çështjet, çfarë do të bëjmë me mbetjet që janë grumbulluar në këtë landfill, dhe çfarë do të bëhet në të ardhmen me mbetjet e qytetit të Durrësit”.

Ministri Damian Gjiknuri shpjegoi se “përsa i përket mbetjeve urbane, kemi siguruar edhe këtu financimet e nevojshme për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve në Fier, si dhe mbështetjen financiare për bashkinë e Tiranës për të bërë të mundur zbatimin e skemës koncesionare për ndërtimin e impiantit dhe trajtimit të “landfillit” në kryeqytet. /atsh

Loading...