Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme tha në Komisionin Parlamentar të Politikës së Jashtme se një prej prioriteteve që parashikohet në buxhetin e 2019, është çështja e sigurisë, marrëdhëniet me fqinjët e shqiptarët në rajon.
Ministri Bushati tha se buxheti është rritur në raport me vitet e tjera, për shkak të objektivit që kemi vendosur për të marrë drejtimin e OSBE-së në vitin 2020.
Një zhvillim i tillë për kryediplomatin shqiptar do të rezultojë i suksesshme.
Bushati sqaroi anëtarët e Komisionit se “në vitin 2019 për Shqipërinë do të lindin disa detyrime, për shkak të hyrjes së vendit tonë në “Trojkën e OSBE-së”. Kjo është edhe arsyeja përse në 2019 në buxhetin e shtetit është parashikuar një fond specifik për aktivitete që do të ndërmarrë Shqipëria gjatë këtij viti”.
“Me marrjen e drejtimit të OSBE-së në 2020 do të duhet që ky fond të jetë akoma më i madh. Nëse do të miratohet ky vendim në “Ministerialin e Milanos” këtë dhjetor, do të jetë hera e parë që Shqipëria do të marrë drejtimin e kësaj organizate të rëndësishme”.
Brenda këtij zëri të buxhetit parashikohet edhe një mbështetje financiare e vijimit të fushatës për një vend jo permanent në Këshillin e Sigurimit 2022-2023″, deklaroi ministri Ditmir Bushati.
ATSH