Prefekti i qarkut të Gjirokastrës, Astrit Aliaj u ndal sot përgjatë bypass-it të Tepelenës për të parë nga afër zhvillimin e punimeve në një nga investimet më të rëndësishme të rajonit jugor në vend.
Inxhinieri i firmës kontraktuese në kantier, Ladi Lala, i tha prefektit Aliaj se “aktualisht janë duke vazhduar punimet për përfundimin e ndërtimeve në këtë aks, rreth 2,4 km me dy korsi nga 3,7 m, i cili ka përfunduar në 90% të gjatësisë së tij”.
“Ngelet ende për t’u vënë në zbatim nyja 3 e këtij aksi, që pritet të përfundojë pasi të mbyllen edhe procedurat e fundit të shpronësimit në zonën përgjatë aksit”, – theksoi Lala.
Prefekti Aliaj është shprehur i kënaqur me ecurinë e punimeve deri më tani në kantier dhe përfundimin e kësaj vepre të rëndësishme infrastrukturore sa më shpejt, duke krijuar kështu mundësinë për investime të reja në fushën e turizmit të zonës.
Bypass-i i Tepelenës do të lidhë dy segmente të rëndësishme, atë të Levan-Tepelenë dhe Tepelenë-Kakavijë, duke lehtësuar qarkullimin në këtë aks me përdorim maksimal si dhe duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të zonës./atsh