Çdo gjë që duhet të dini përpara se të nisni një tur në jug të vendit

Ndoshta gjeografikisht është një vend i vogël, por kjo nuk e ka penguar Shqipërinë të ketë me qindra kilometra vijë bregdetare nga më të bukurat dhe të paprekurat në Evropë, që shtrihen përgjatë gjithë anës perëndimore të vendit.

Pafundësia e plazheve të llojeve të ndryshëm – nga plazhet e mëdha publike tek ato më intime të pozicionuara në Rivierën e Jugut, kanë bërë që kjo zonë të marrë dhe vëmendjen e mediave prestigjioze botërore, ku flitet për bregdetin shqiptar si një sekret që duhet zbuluar sa më shpejt.

Riviera Shqiptare fillon në Vlorë dhe vazhdon deri në Sarandë, përmes Qafës së Llogarasë.

Vlorë
Vlora është një qytet i kompletuar me një larmi aktivitetesh të ndryshme, si dhe disa nga plazhet më të mira publike në vend. Është gjithashtu një pikë takimi mes dy gjigantëve, Adriatikut dhe Jonit! Nëse gjendeni në këtë qytet, nuk duhet të lini pa vizituar dhe ishullin e hapur rishtazi të Sazanit.

Zvërnec
Ishulli i vogël piktoresk i Zvërnecit, është i veshur magjishëm vetëm nga pisha të larta, dhe lidhet me tokën më të afërt përmes një ure të bukur druri të gjatë 270 metra. Në ishull spikat Manastiri Bizantin i ardhur nga shekullit i XIII në gjendje shumë të mirë.

Radhimë
Sapo kalon Vlorën, do të gjeni Radhimë, që është dhe një nga destinacionet ku shumë prej vendasve zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre. Radhima është e famshme për ujërat e qeta, resortet e organizuara, si dhe atmosferën relaksuese. Ish-baza ushtarake që ndodhet aty përbën dhe një nga vendet e reja më tërheqëse për t’u zbuluar, me plot mundësi diving.

Orikum
Tek sa jeni duke vizituar Orikumin, duke shkuar për Llogara, do mund të gjeni plazhin e bukur të Orikumit, si dhe Orikum Marina-n, ku merren me qera katamaranë apo varka lundrimi të përmasa të ndryshme. Ngjitur me Orikumin ndodhet fshati i Tragjasit, që ngjan si një vend i dalë nga një kohë tjetër! Asgjë nuk ka ndryshuar këtu që pas Luftës së Dytë Botërore, kur nazistët dogjën fshatin që asokohe mbështeste komunistët. Drama e së djeshmes ndërthuret me bukurinë e së sotmes duke ofruar peizazhe pa kohë.

Gadishulli i Karaburunit
Një shëtitje e shkurtër me varkë nga Orikumi ju ndan nga gadishulli i Karaburunit! Gadishulli i Karaburunit është parku i vetëm kombëtar detar i Shqipërisë, dhe falë izolimit të tij për një kohë të gjatë sot mund të gjeni disa nga plazhet më të virgjëra të kristalta të vendit.

Rrugës për në Llogara
Duke ngjitur Llogaranë, do mund të shijoni gatimet e shkëlqyera të mishit të qingjit, kosin e freskët të përgatitur në shtëpi, apo mjaltin nën hijen e miliona pishave dhe lisave të Parkut Kombëtar të Llogarasë, këtij oazi të rrallë freskie në jugun e nxehtë. Duke lënë mënjanë pishat, kalimi në Qafën e Llogarasë do ju lidhë me plazhet popullorë të Palasës, Dhërmiut e Drimadhës. Përveç të qënurit tre nga qendrat më të mëdha të muzikës dhe festave në jug gjatë verës, ky triumvirat është dhe takimi i parë me bukuritë e kësaj zone që të lënë pa frymë.

Jul Çezari bëri ndalesën e tij pikërisht në Palasë në vitin 48 para Krishtit. Ditët kalojnë pa u kuptuar tek sa zhytesh në dallgët e ujit më të kristaltë e të bruztë ku mund të keni pushuar sytë deri në atë moment. Netët këtu janë të gjitha të rezervuara për mbrëmjet me muzikë dance, house, elektro etj që luhet në klubet e Palasës.

Dhërmi
Fshati i Dhërmiut, i ndërtuar në shpatet e Maleve të Vetëtimës, është një nga fshatrat më piktoreskë të jugut. Kisha e ndërtuar në majë të fshatit është lehtësisht e vizitueshme dhe ja vlen t’i kushtoni kohën tuaj.

Kur të mbërrini aty, vini re kontrastin mes jetës së natës stil Ibiza, dhe panoramës tradicionale të fshatit, që së bashku krijojnë një joshje që është vështirë të haset diku tjetër! Më pas, një tjetër mrekulli tejet fotozhenike e jugut të Shqipërisë ju pret: fshati i Vunoit. Shkëputuni për disa orë ecje në këtë vend të vogël por mjaftueshëm të bukur sa për t’ju bërë të harroni se ku ndodheni.

Gjipe
Nuk mund të mos i kushtoni një ditë dhe plazhit të Gjipesë, apo Plazhit të Shpellave. Do ju duket sikur jeni në setin e filmit të njohur The Beach e do pyesni veten si ka mundësi që këto destinacione nuk janë populluar nga mijëra turistë?

Jalë
Le të vazhdojmë me pjesën tjetër të udhëtimit. Në gjirin e vogël të Jalit ndodhet dhe kampingu më interesant në të gjithë zonën, si dhe kompleksi resort/klub nate më i njohur i jugut i quajtur Folie Marine. Plazhi është i mrekullueshëm dhe ndodhet në një pikë strategjike që të mundëson të vizitosh lehtësisht plazhet e tjerë përreth tij. Nëse ngjisni kodrën e Jalit, do ju shfaqen disa panorama mjaft të bukura të detit e natyrës përreth.

Livadh
Në Livadh gjendet një nga vijat bregdetare më të gjata të jugut, dhe ka plot mundësi kampingu, hotelerie apo restorante prej të cilave mund të zgjidhni. E ngjashme me Drimadhën, ky vend është i duhuri për ju nëse ju pëlqen hapësira boshe por në të njëjtën kohë nuk doni të jeni tërësisht vetëm.

Himara
Himara, fshati më i madh i Rivierës gjendet menjëherës pas Livadhit. Si një pikëtakimi mes Vlorës dhe Sarandës, në Himarë mund të gjesh gjithashtu të gjitha facilitetet e një qyteti, si banka, kompani telefonike etj, të cilat nuk gjenden lehtësisht në fshatrat përreth. Tek sa jeni në Himarë duhet të vizitoni dhe Plazhin e Spillesë dhe Potamit, si dhe të porosisni petullat e shijshme që gatuhen në mëngjes në lokalet e zonës.

Qeparo
Ndoshta fshati më i bukur i të gjithë jugut, është ndërtuar në pjesën perëndimore të Malit Gjivlash, 450 metra mbi nivelin e detit, dhe i dhuron botës refleksin më të bukur të hënës mbi ujë.

Borshi
Borshi ka linjën më të gjatë bregdetare nga të gjitha plazhet e tjera të jugut. Nëse doni të zbuloni më tepër për jetën baritore, vendasit apo turet e specializuara do të informojnë për mundësitë e hiking me barinjtë e zonës.

Lukovë
Ky është vendi për shpirtrat e qetë dhe vetmitarë, e mund të konsiderohet si një nga vendet më të paprekura e të pazbuluara të gjithë jugut të Shqipërisë.

Nuk duhen humbur në këtë zonë:
Plazhi spektakolar i Filikurit në gjirin me të njëjtin emër;
Gjiri i vogël i Llamanit ku ujërat e ftohtë dhe të jeshiltë i kanë krijuar një hapësirë të bukur vetes mes dy shkëmbinjve;
Porto Palermo, e renditur në vend të parë në listën e Huffington Post të 15 Destinacioneve të Pazbuluara Evropiane, tashmë po përjeton një transformim nga një ish-bazë ushtarake komuniste në një destinacion të nxehtë vere. Ndërtesat e rrënuara dhe pamjet magjike bashkëjetojnë më së miri, dhe këtu mund të gjeni dhe Kështjellën e bukur të Ali Pashës. Përpara se të niseni për Sarandë, mos harroni të bëni një ndalesë në Syrin e Kaltër, një vend që për nga bukuria ngjason me hapësirat tropikale.
Sarandë – Ksamil – Butrint
Saranda është një nga qytetet më të njohura bregdetare të Shqipërisë. Ka një pafundësi plazhesh të bukur, ku spikat ai më popullori i quajtur Pasqyrat, që i kufizuar në skaje nga shkëmbinj të bardhë merr një shkëlqim pakufij. Kur të gjendeni në këtë qytet, duhet të bëni një ndalesë në portin e bukur dhe shëtitoren moderne! Fare pranë ndodhen rrënojat e qytetit antik të Butrintit, një vend i konsideruar trashëgimi botërore e UNESCO-s, ku gjenden në kushte mjaft të mira rrënojat e teatrit antik dhe mozaiku i vjetër.

Ashtu siç e do tradita, ëmbëlsirën e kemi lënë për në fund, ndaj ky tur mbyllet me bukurinë e pakrahasueshme që ofrojnë ishujt e Ksamilit! Pasi i ka dhënë prekjen e vet magjike gjithë bregdetit të jugut, Deti Jon duket sikur këtu ka tejkaluar veten. Për kënaqësinë e zemrës kridhuni menjëherë në det, bëni disa foto në këto plazhe që ngjajnë djallëzisht fotozhenike, dhe ndiqni patjetër Turin e Midhjeve! Ky tur plot krijmtari dhe sharm u krijua disa vite më parë nga një i ri i zonës dhe vitet e fundit ka qënë vërtet popullor!/ IntoAlbania

Loading...