Çelja e negociatave, Holanda ndryshon qëndrim: Mbështesim raportin e KE për konferencën Shqipëri-BE

Holanda vendi që kryeson listën e vendeve skeptike për çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE, pak ditë nga vendimi i Këshillit Europian, ka ndryshuar krejtësisht kurs.

Qeveria holandeze në një shkresë drejtuar Parlamentit të këtij vendi kërkon që të mbështetet raporti i Komisionit Europian për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

“Më shumë se një vit më parë, Këshilli ra dakort të hapë negociatat me Shqipërinë. Këshilli vendosi që Shqipëria duhej ende të përmbushte një seri kushtesh për të zhvilluar Konferencën e parë Ndërqeveritare.
Raport-progresi aktual i Komisionit Europian vizaton një panoramë pozitive në pamje të parë. Qeveria jonë është e kënaqur që Shqipëria ka bërë përparim me reformat në disa çështje kyçe dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Në këtë fushë, ka përparim, megjithëse shifrat mbi dënimet e zyrtarëve të lartë mbeten një shqetësim. Qeveria hollandeze i mbështet përfundimet e Komisionit sipas të cilave Shqipëria ka bërë progres të mjaftueshëm në kushtet e paracaktuara.

Ky konkluzion është pranuar edhe nga shtetet anëtare, që njësoj si Hollanda, ishin kritike vitin e kaluar. Duke marrë parasysh qasjen konstante dhe të ndershme pro zgjerimit të Bashkimit Europian nga ana e qeverisë tonë, Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë mund të mbahet sapo të arrihet një marrëveshje mbi kornizat negociuese me Shqipërinë”.

Gjithsesi, në dokumentin e qeverisë se Mark Rutte nuk mungojnë dhe rezervat për rrugën që ende duhet bërë deri në anëtarësimin e plotë të vendit tonë në union.

“Kjo nuk do të thotë që Shqipëria do të jetë gati të bëhet pjesë e BE-së së shpejti. Reformat për shtetin e së drejtës nuk janë ende të plota, dhe ndaj do të jenë pikë kyçe në procesin që duhet ndjekur pas hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Institucionet duhet të jenë më të forta, politikanët dhe qytetarët duhet të mësohen me pavarësinë e gjyqësorit, Vettingu i gjyqtarëve duhet të përfundojë dhe të gjitha vendet bosh në sistemin e drejtësisë duhet të plotësohen.

As detyrat e udhërrëfyesit nuk janë përfunduar ende. Është bërë përparim, por lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit do të kërkojë vëmëndje të vazhdueshme dhe bashkëpunim ndërkombëtar, përfshirë edhe partnerë si Holanda”.

Pas qëndrimit të shprehur nga qeveria holandeze por dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermani, Austria por dhe Italia duket se Shqipëria do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Europian për çeljen e kuadrit negociues që do të pasojë konferencën ndërqeveritare.

Loading...