Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se marrëdhënia me Partinë Demorkatike është strategjike. I pyetur se çfarë do të ndodhë mes PL dhe PD në rast se humbasin në zgjedhjet e 14 majit, Meta u shpreh i bindur opozita do të fitojë, duke mposhtur mafien.
“Ne jemi të bindur në fitore dhe jemi të pandalshëm në arritjen e këtij objektivi”, tha Meta.
Pyetje: Nëse humbni në këto zgjedhje do ta rishikoni marrëdhënien me PD?
Meta: Marrëdhënien me PD e kemi strategjike, sepse kemi instrumentin më strategjik, të rikthimit të demokracisë, të pluralizmit të integrimit evropian.
Ne jemi të bindur në fitore dhe jemi të pandalshëm në arritjen e këtij objektivi. Do ta mposhtin mafien, jemi një popull shqiponjash, një mafie sorrash nuk mund ta nëpërkëmbi këtë popull dhe ta përzënë me gomone.
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta deklaroi gjithashtu se kjo forcë politike nuk ka pasur figura të spikatura për kandidatë për kryetarë bashkie, ndaj ia dorëzoi Partisë Demokratike këtë proces.
“Partia e Lirisë është një parti që sapo e ka kaluar një proces tranzicioni dhe nga ana formale, proceduriale, që nga 25 prilli e deri te 29 tetori. Së dyti, dihet që ish-LSI-ja pësoi një traumë të madhe për shkak të gabuara që mori vetë.
Aktualisht, nuk ka qenë një forcë realisht e përgatitur apo ku kishte individë shumë të spikatur dhe të gatshëm, që kishin investuar gjatë kësaj kohe për kryetarë bashkish”, theksoi ai.