Për herë të tretë radhazi, Kukësi nuk ia doli të siguronte pjesëmarrjen në Kupat e Europës. Një dështim që mund të konsiderohet si tragjik për klubin verilindor, që tashmë po përballet me një merkato shkatërrimtare.
Në këto ditë të para, Kukësi ka pësuar një eksod të frikshëm, ku plot 16 lojtarë kanë konfirmuar tashmë divorcin. Operacionit “Fshesa” deri më tani i kanë shpëtuar vetëm 4 futbollistë, të cilët mund të konsiderohen edhe si baza e ekipit në sezonin e ri. Bëhet fjalë për Angjelo Tafa e Mbarak që kanë kontratë deri në vitin 2025 dhe Atdhe Radhiti e Lamçe që kanë firmosur deri në 2026 me Kukësin.
Të katër futbollistët kanë nisur pushimet, gjithsesi, e ardhmja mund të mos konsiderohet e sigurtë në Kukës. Duke parë kontratat që kanë lojtarët drejtuesit mund të ndërtojnë skuadrën e ardhme rreth tyre, por deri atëherë ajo që dihet me siguri është se Kukësi ndodhet në “ajër”, pasi deri tani ka veç largime dhe asnjë afrim. Edhe e ardhmja e trajnerit Rrahmani nuk është e sigurtë, me disa emra që po qarkullojnë për stolin. Problemet e presidencës në këtë moment mund të sjellin edhe një shitje të aksioneve të Kukësit për të hequr dorë kështu pas shumë vitesh nga klubi një herë kampion i vendit.
Aksionet e klubit të Kukësit mund të dalin në shitje. Ky është lajmi më i fundit që po qarkullon në klubin verilindor. Edhe pse nuk ka një konfirmim zyrtar nga drejtuesit, sipas mediave kjo është një hipotezë që po përflitet gjithnjë e më shumë në ambientet e klubit pas asaj që ndodhi së fundmi me presidentin Safet Gjici, i cili ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë Kukësi.
Gjici ka ndër mend ta shesë klubin te disa biznesmenë të njohur. Nga ana tjetër stafi teknik dhe drejtuesit kanë nisur nga puna për sezonin e ri. E hëna e 26 qershorit do të jetë edhe dita e parë e startit së përgatitjeve për ekipin. Blutë do të vijojnë të drejtohen nga trajneri Rraman Hallaçi, i cili është rikonfirmuar në drejtimin e skuadrës për këtë edicion./Shqiperiaime