Çfarë thonë gojëdhënat e vjetra shqiptare/ Si ‘lindi’ pema e mollës së kuqe?

Deri më tani, asnjëri prej akademikëve shqiptarë nga fusha e historiografisë, gjeografisë, gjuhësisë, filologjisë, antropologjisë, arkeologjisë, udhëpërshkruesve nuk ka arritur të japë një shpjegimin adekuat për «Mollën e Kuqe».

Nga ana tjetër, gojëdhënat shqiptare i kanë paraprirë shpjegimit shkencor dhe kanë versionin e tyre pse ky frut nga jeshil, “lindi” i kuq në trojet shqiptare.

Si zakonisht në popull kanë mbetur dhe mbijetuar mbresat tragjike të ndodhive të vërteta për ato vende dhe regjione ku është luftuar dhe është derdhur gjaku si përrua.

“Nga ai gjak i pakursyer i derdhur është ngopur toka dhe në të njëjtin vend kanë filluar të mbijnë lule të kuqe, pastaj të rriten e zhvillohen pemë, që do të lulëzonin dhe hidhnin fruta me ngjyrë të kuqe të gjakut.

Atje në vendbanimet tona stërgjyshore në Toplicë, muhaxhirët tanë për të mbetur dhe për të mbijetuar në pasuritë e tyre të patjetërsueshme e kishin derdhur gjakun e tyre si përrua.

Dhe, me tërheqjen e kufirit nga Pashallëku i Beogradit në Katund, vendbanim ky ndërmjet Nishit dhe Aleksincit, ishte ngritur Gjymrikana e Perandorisë Osmane”.

Në altarin e oborrit të karakollit të Turqisë ishte një mollë, e cila në pranverë lulëzonte dhe bënte fruta të kuqe.

“Shumë njerëz, pasardhës të muhaxhirëve tanë të dëbuar dhunshëm nga Nishi dhe Toplica, shpesh shkonin për t’i vizituar vendet e të parëve të tyre, bindeshin dhe tregonin se atje ishte një mollë shumë e vjetër dhe mollët i kishte all bojë të kuqe.

Populli nga nostalgjia dhe malli i madh për ato regjione, a vende të caktuara ku është derdhur gjaku i pakursyer, i ka emërtuar ato me shprehjet e veta pikëlluese, si: «toka e kuqe», «guri i kuq i livadhit», «kroi me ujë të kuq», «varrezat e krushqve të përgjakur» etj. Pikërisht kështu ka lindur dhe mbijetuar edhe shprehja e vërtetë dhe reale për mollën e kuqe në popull, e cila shprehje ka vazhduar edhe sot, duke u mishëruar edhe në folklorin tonë popullor, si: «Hidhet vallja, vallja me shamia, dej te Molla e Kuqe, e jona Shipnia»”.

Loading...