Kapet një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i dënuar në Itali me burgim të përjetshëm për vrasje, si dhe me percedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve.
Gjatë operacionit kapet dhe vëllai i tij për “Shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie”.
Sekuestrohen arsenal armësh, municione, tritol e lëndë narkotike.
Policia e Shtetit, në kuadër të planit të posaçëm të masave për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, si rezultat i punës gjurmuese dhe hetimore, falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët, gjatë paradites së sotme, ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Selenica”.
Departamenti i Policisë Kriminale pas informacioneve të grumbulluara, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale “Renea”, Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, në kuadër të operacionit ” Selenica “, si rezultat i ndërhyrjes profesionale ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të personit me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, Tesi alias Tesilvan Basho, 38 vjeç, banues në Selenicë, Vlorë.
Ky shtetas në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por falë veprimeve profesionale të Policisë është neutralizuar dhe vënë në pranga.