Cikloni goditi Greqinë, drejtoria detare: Kujdes në Shqipëri në 8 orët e ardhshme

Shqipëria nuk është e rrezikuar nga cikloni “Ianos” që ka goditur Greqinë gjate 24 oreve te fundit. Drejtoria e Përgjithshme Detare në vendin tonë ka shperndare nje informacion të detajuar ne lidhje me situaten në bregdetin shqiptar.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare te institucionit ne “Facebook”, 8 orët e ardhshme janë të rëndësishme për të parë lëvizjen e ciklonit dhe të kuptuar rrezikun që i kanoset Shqipërisë.
“Ishujt grekë të Jonit Zakynthos, Ithaca dhe Kefalonia janë goditur nga cikloni me forcën e një uragani dhe ka lënë shumë dëme në varka, mole dhe përmbytje rrugësh.

Bregu shqiptar nuk eshtë prekur deri në këto çaste dhe Drejtoria e Përgjithshme Detare po monitoron dhe është në kontakt me autoritetet greke dhe kapitenerinë e Korfuzit për situatën dhe po merr indormacione për forcën dhe lëvizjen e ciklonit.

Drejoria e Përgjithshme Detare bën me dije se 6-8 orët e ardhshme janë të rëndësishme dhe ka kërkuar nga Kapiteneritë e Porteve dhe Autoritetet Portuale të Sarandës, Himarës dhe Vlorës që të japin informacion të detajuar çdo moment dhe të monitorojnë mjetet lundruese që do kërkojnë të dalin në det.”

Në ishujt grekë deri tani ka dëme të shumta materiale për shkak të shirave të rrëmbyer. Shumë zona kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa deti është egërsuar.

Loading...