Çmimi i lartë i karburanteve, shoferët e Kukësit furnizohen në Prizren: ‘Po e mbajmë linjën me zor’

Pavarësisht se me 12 tetor çmimi i 1 fuqi naftë në bursë është ulur me 15%, bordit të transparencës iu deshën më shumë se tre javë për ta reflektuar në uljen e çmimit të karburanteve në vendin tonë, ulje e cila nuk reflekton zbutjen e krizës.

Por, për shoferët dhe banorët në Kukës çmimi vazhdon të jetë i papërballueshëm.

“Sa e furnizova, 100 mijë lekë naftë! Për mos me lënë linjën bosh, jemi tu e mbajt me zor. Kam bërë 3 rrugë unë dhe dalim 0, edhe atëherë kënaqemi që s’dalim minus. S’ka as pasagjerë se kanë ik të gjithë. 18 vajza dhe dy djem kam pasur në makinë, biletën se kemi lëviz, 5 mijë, e vetmja linja e Kukësit. Jemi të falimentuar”-tha një nga shoferët.

Nga rritja e karburanteve po mendohet edhe rritja çmimit të biletës drejt linjave të ndryshme, Tiranë, Durrës etj.

“Kam shofer 44 vjet, në Shqipëri me pak fjalë u bënë ujqërit e qentë bashkë dhe e hëngrën kopenë. Shkurt, të rinjtë kanë ik krejt, çmimi i naftës katastrofë, s’ke ku shkon më. Jam lodh me pasagjerë, ua di hallin por është e papërballueshme. Kemi ngel vetëm në shtëpi”-theksoi një tjetër.

Shoferët shprehen se kanë më shumë leverdi ndaj zgjedhin Prizrenin për të furnizuar makinat me naftë, benzinë etj.

“Bordi, bordi thonë, ai punon për shtetin jo për popullin. Unë kam makinë private por me këto çmime vetëm në këmbë me ec. Në Prizren shkojmë furnizohemi se pak më lirë”-përfundoi një banor i Kukësit.

Ndonëse në Bursa nafta është në tendencë rënieje prej disa javësh, duke zbritur në nivelet e para sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, në tregun vendas karburanti vijon të jetë pranë niveleve maksimale, që arritën deri në 265 lekë për litër në mars.

Loading...