Çomlek me qepujka dhe mish vici në tave dheu

A e keni tentuar ndonjëherë çomlekun në tave dheu? Ose më mirë në vorbë? Nëse akoma jo, ndoshta ky është momenti.

E vetmja gjë që është e bezdisshme këtu është qërimi i qepujkave, por besomëni, ia vlen çdo pikë loti e derdhur sapo ta shijoni ☺

Tani që fillon stina e ftohtë nuk ka gjë më të mirë për të të ngrohur shpirtin sesa një pjatë gjellë e shijshme.

Fatmirësisht ne shqiptarët vazhdojmë ende të ruajmë traditën e gjellëve. Unë kam zgjedhur një vorbë qeramike për ta gatuar këtë gjellë dhe do ju këshilloja fort ta blinit një, sot mund të gjëndet edhe me një çmim ekonomik.

Sasia: 4 persona

Koha totale: 1 orë e 45 minuta plus koha e qërimit të qepëve.

PËRBËRËSIT:
4 copa mish viçi (Unë kisha pjesë brinje)
1 qepë e grirë hollë
3 lugë gjelle vaj ulliri
1 lugë gjelle koncentrat domateje
1.5 kg qepujka te vogla
1 lugë çaji piper të kuq
½ lugë çaji piper të zi
4 lugë gjelle uthull balsamic
4 kupa ujë
Kripë sipas dëshirës
2 gjethe dafinë
Opsionale: pak kanellë
Qëroni qepujkat dhe vendosini ne një tas të mbushur me ujë të ftohtë.
Ngrohni furrën në 220°C
Në një tenxhere të thellë hidhni vajin e ullirit dhe qepën dhe fërgojini sa qepa të bëhet e butë dhe transparente.
Shtoni salcën e domates, mishin dhe skuqeni mirë nga të gjitha anët (gati 5 minuta).
Kulloni dhe shtoni qepujkat, dafinën, uthullën, piperin e kuq dhe të zi dhe trazojini mirë me lugë druri.
Hidhni ujin dhe rregullojeni gjellen me kripë sipas shijes tuaj.
Transferojeni gjellën në vorbën e qeramikës, verini kapakun dhe futeni në furrën e ngrohur për gati 2 orë.
Kontrolloni gjellën nëse do ketë nevojë për ujë shtesë çdo 30 minuta.
Në fund shijoni gjellën për kripë nëse ka nevojë për më tepër.

Loading...