Çun Lajçi: Mos bëni politikë me një ngrehinë që kishte mbetur si fantazmë se po dukeni qesharakë

Aktori i mirënjohur shqiptar nga Kosova, Çun Lajçi, ka përshëndetur vendimin për të filluar nga puna për Teatrin e Ri.

Përmes një mesazhi Lajçi, i cili në skenat e Kosovës ka peshën e Robert Ndrenikës në Shqipëri, u drejtohet të gjithë atyre që protestojnë kundër këtij vendimi duke theksuar se është e patolerueshme që artistët e rinj të dënohen me një godinë që kurrë nuk ishte teatër.

Mes të tjerave, aktori i njohur kujton se ishte pikërisht godina e vjetër e teatrit që sëmuri aq e aq artistë, mes të cilëve edhe aktorin ikonë të artit shqiptar Naim Frashëri.

“Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharak”, thekson Lajçi.

Postimi i plotë:

Për çka po protestoni?
S’deshta,
o s’deshta me shkrua,
se dashtë e kam ma shumë se ju, që çirreni sheshit, tue derdhë lot pa lot, e tue mallkua pushtetin e Edin!
O dashtë e kam ma shum se ju, betohem, dhe e dini pse?
Se nji shekull m’ka nda me at teatër, nji bjeshkë kufi deri n’qiell,
– ju e kishit aty, unë veç n’andërra!
S’deshta, veç po iu them juve, që brenda hy s’i keni që dy dekada, e kam dashtë sa krejt atdheun, se viti 1972 m’futi n’zemrën e tij, e shfaqja “Viti 61” me mori me vete, e shpirti me mbeti tek Naimi, Pitarka, Edi, Ndreka, Maria, Agimi….
Por juve magjepsë iu kanë yjet që s’jetojnë, e arti i shpirtit tyne, e ditë s’keni për deshtoret e vogëla me tavane t’ulta, këthinat mizerje mbrapa s’kenës, tualetët që kutërbonin, e minjët që brenin kostumet!
Ju kurrë pyet s’keni për pluhnin që aktorët thithnin, e t’ftoftit që t’prente n’ije!
Zatën, këto kushte ia moren jetën Naim Frashêrit, e sa e sa të tjerëve!
Ju pelqye e keni nji sallë, e pyet si keni artistët për kushtet e vitit 1938 n’shekullin 21, ndaj shani e mallkoni e bani politikë me mjerimin e artistit!
Kjo asht turp!
Unë shkrova poezi për kolloset e tij, e mija rrole n’at skenë, jo për teatrin, se luejt kam edhe unë aty, dhe e di sa i mjerë ishte, dhe s’mund t’i dënoj artistet e rinjë me nji godinë që s’ishte kurrë teatër!
Tiranës i duhet teatri i ri, ashtu siç asht arti e koha, se e imja, dhe e atyne që ishin, nuk zhduket, pse rrenohet nji godinë. Ato mbesin n’letra, n’zemra, n’kujtime. Ajo mbetet histori që nuk rrenohet me nji godinë!
Ju betohem ma shumë se ju dashtë e kam, se dy vite emnin e Kosovë e mbajti, por pse protestoni tani, kur s’asht ma? Pse, kur 20 vjet iket nga ajo godinë!
Pse e politizoni? Për çka?
Për Shqipërinë? Për Kosovën?
Jo, s’asht e vërtetë, sepse po t’ishit patriot, do t’protestonit atë ditë, kur Vuçiç e Rama banin minishengene!
Teatri na duhet, e teatri do t’bahet, mija herë besoj, ma i mirë se ç’ishte. Edi ndofta asht i çmendun, por çmenduria e tij, mund ta sjell edhe nji teatër si ate të Shkupit! Duhet prit e duhet pa!
Mos bani politikë me nji ngrehinë që kishte mbetë si fantazmë, se po dukeni vërtetë qesharak!/atsh

Loading...