Administrata publike në Shqipëri ka shënuar progres lidhur me kriteret kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian, që kanë të bëjnë me depolitizimin, profesionalizmin dhe ofrimin e shërbime më të mira ndaj qytetarëve shqiptarë.
Këto ishin shtyllat kryesore të prezantuara nga zv/kryeministrja Senida Mesi në Bruksel, në Ministerialin e 9-të të Bordit Drejtues të Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA), i cili u pasua nga konferenca mbi “Përmirësimin e Administratës Publike Nëpërmjet Bashkëpunimit Rajonal”.
Në këtë konferencë ishin të pranishëm përfaqësuesit më të lartë nga vendet e Ballkanit Perëndimor që mbulojnë reformën në administratën publike, menaxhimin e financave publike dhe integrimin europian; partnerë ndërkombëtarë, si dhe përfaqësues nga Komisioni Europian, OECD/SIGMA dhe organizata të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare.
Gjatë kësaj konference, Mesi duke nënvizuar rëndësinë e një platforme të tillë e cila në qendër të saj ka bashkëpunimin rajonal dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e administratës publike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi faktin se ajo i shërben direkt çdo vendi pjesëmarrës në rrugën e integrimit europian dhe ndihmon rajonin ta bëjë atë një zonë shumë më të mirë për qytetarët tanë.
Teksa u ndal tek reforma në administratë publike në vendin tonë, Mesi shprehu gatishmërinë e plotë të qeverisë shqiptare për ta çuar akoma më përpara këtë proces historik në favor të qytetarëve shqiptarë. “Depolitizimi, meritokracia, profesionalizmi dhe programet e trajnimit për nëpunësit janë fusha ku kemi bazuar punën tonë, për të cilat besojmë fuqishëm se do të kontribuojnë direkt në plotësimin e pritshmërive të qytetarëve tanë në marrjen e shërbimeve publike”, shtoi ajo, duke nënvizuar faktin se ka një përkushtim të plotë në drejtim përballimit të çdo sfide me qëllim uljen e korrupsionit dhe rritjen e efiçiencës në marrjen e shërbimeve publike.
Gjatë vizitës në Bruksel, zv.kryeministrja zhvilloi një takim gjithashtu me Drejtorin e Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielsson. Në fokus të takimit ishte perspektiva europiane e Shqipërisë, rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si dhe thellimi i mëtejshëm të tij në të mirë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Teksa nënvizoi përpjekjet e vazhdueshme që po bën Shqipëria në drejtim të reformës në administratës publike dhe përmirësimit të ofrimit të shërbimeve publike nëpërmjet proceseve të digjitalizimit dhe derregullimit, Mesi u shpreh se “bashkërendimi i reformave të lartpërmendura me reformën në drejtësi dhe luftën ndaj krimit të organizuar, do të shërbejnë si katalizator i investimeve të huaja direkte dhe si shtysë ndaj integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në familjen europiane”.
Nga ana tjetër, Danielsson nënvizoi faktin se BE-ja mbetet partner i vendit tonë dhe mbështetës i rëndësishëm në rrugën e pakthyeshme të integrimit dhe thellimit të reformave. /atsh