Dashamir Shehi: “E kanë kuptuar dhe ndërkombëtarët se sa të jetë Rama do të ketë më shumë drogë dhe krim të organizuar”

“Jemi në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët”, u shpreh sot kreu i LZHK-së, ish-deputeti Dashamir Shehi, pas takimit të aleatëve me kreun e opozitës, Lulzim Bashën, në selinë blu, për vijimësinë e betejës për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zgjedhjet e reja e të lira

Shehi tregoi se në takim u fol për “dorëheqjen e zotit Rama, një qeveri tranzitore që të marrë përsipër dy-tre punë të rëndësishme.

Punë të rëndësishme, – sqaroi ai, – ne quajmë këtë, që të pastrojë ambientin politik nga krimi dhe zgjedhje të reja e të lira.

Pastaj, po qenë të zotë, të fitojnë prapë.

Por ne gjykojmë se kjo është radha e opozitës.

Këto që janë sot besoj se janë diskretituar edhe në rrafshin ndërkombëtar.”
pyetur nga mediat se po duket sikur ndërkombëtarët nuk e mbështesin aksionin e opozitës, kanë folur për minim të demokracisë me djegien e mandateve, Shehi tha:

“Ne gjykojmë se ndërkombëtarët kanë marrë pozicionin e vet, tradicional, klasik, që këtu para demokracisë vihet stabiliteti. I mirëkuptojmë. Por gjykojmë se nga pozicioni i sotëm i demokratëve, ndryshe nga ai që ishte para tre muajve, ka një avancim shumë të madh. Kanë filluar ta kuptojnë edhe ata që sa të jetë zoti Rama do të ketë gjithnjë e më pak stabilitet, gjithnjë e më shumë drogë dhe krim të organizuar. Kështu që jemi edhe në rrugën për t’i bindur edhe ndërkombëtarët për këtë punë.”

Pyetjes, “nëse z. Rama nuk tërhiqet për krijimin e një qeverie tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme, a ekziston një skenar nga ana e opozitës për tërheqjen e opozitës nga zgjedhjet lokale?”, Shehi iu përgjigj:

“Jo, nuk e kemi diskutuar këtë punë. Këto do të diskutohen gjithnjë pas datës 16, por të jeni të sigurtë që sulmi i opozitës do të jetë 360 gradë, në të gjitha institucionet, hapësirën politike, shoqërore, mediatike shqiptare. E thashë, këtë do ta përcaktojmë pas datës 16 mars, pas demostratës tjetër të madhe që do të organizohet. Deri atëherë rrimë me shpresë se njerëz të logjikshëm do të reflektojnë mbi momentin e rrezikshëm që po kalon Shqipëria.”

Loading...