Deklarata e Escobar, Berisha: ‘Më pëlqen, parashikon fitoren time’

Ish kryeministri Sali Berisha ka komentuar deklaratën e zyrtarit të lartë amerikan, Gabriel Escobar.

Në një komunikim me gazetarët, Berisha i qëndroi mendimit të tij se i ka pëlqyer vizita e Escobar, madje sipas tij “ai ka parashikuar fitoren e Sali Berishës”.

Ai përsëriti edhe njëherë se kjo vizitë i ngarkoi atij një detyrë, atë të ekstradimit të Ramës në SHBA.

“Dje deklarova se më pëlqeu vizita e Escobar. Sot ju deklaroj se më pëlqeu intervista e zotit Escobar.

Më pëlqeu sepse ajo më faktoi se nuk isha i gabuar kur deklarova se më pëlqeu vizita. Dhe kur ju thashë se kjo vizitë shtroi një detyrë para meje, ekstradimin e Ramës në SHBA.

Unë atë deduksion e bëra nga takimi i paprecedent në 32 vite të karrierës sime politike, takim në të cilin nuk u fol asnjë fjalë e vetme. Ndonëse vizita u deklarua se ishte për zgjedhjet lokale, aty asnjë fjalë për asgjë.

Cila ishte kryefjala e intervistës së tij? I pyetur për problemin e Ramës me McGonigal, ai u përgjigj se nuk komenton për një çështje penale e hapur.

E di çfarë do të thotë çështje penale e hapur? Do të thotë derë e burgut e hapur. Një derë qelie e hapur për Edi Ramën.

Kjo ishte kryefjala, kjo ishte e vërteta. Ndaj dhe Edi Rama nxinte bashkë me ministreshat e tij me lopatë në dorë pas takimit.

E dyta, ai ishte një lajm shumë interesant. Edhe në rast se fiton, tha, pra parashikon fitoren time. Unë e vlerësoj këtë. Unë u thashë se në kryeqytetet e Europës dhe botës po binden për rikthimin e fuqishëm të Sali Berishës dhe fitoren e PD-së.

Po do thuash ti që ai thotë se nuk ndryshon vendimi. Këtu kam një përgjigje shumë të thjeshtë. Gazetarja, Grida, por edhe ju, mund të bëni një pyetje: a ka kërkuar Sali Berisha një kërkim të ndryshimit. Jo, nuk ka kërkuar.

Se si mund të ndryshojë vendimi, pa kërkuar i ndryshuari, këtë nuk e imagjinoj. Unë kam paditur Sekretarin e Shtetit në gjykatën e Parisit për shpifje, çka nënkupton çdo mundësi që unë të kërkoj ndryshimin e vendimit. Është vetëm kështu”, tha Berisha./Opinion.al

Loading...