Dekretimi i Sandër Lleshit, Meta: Do bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë

“Më lini të bëj detyrën time me përgjegjshmëri të plotë, si gjithmonë”, deklaroi sot Presidenti Ilir Meta, duke iu përgjigjur interesimit të medias lidhur me kërkesën për dekretimin e Sandër Lleshit, Ministër të Brendshëm.

Në një prononcim për mediat, Meta iu përgjigj interesimit të gazetarëve mbi arsyet ligjore që ka për mosdekretimin e Lleshit si ministër.

“Përsa i takon anës ligjore padashur të jap leksione për Kushtetutën, por të gjithë amatorët, diletantët apo atyre që janë të njëanshëm, do t’i ftoja edhe një herë të lexojnë Kushtetutën, kompetencat e Presidentit dhe se akt formal apo ceremonial është vetëm betimi te Presidenti”, tha Presidenti.

Po ashtu, Meta iu përgjigj me një pyetje të gjithë atyre që mendojnë se dekretimi nuk është një akt substancial dhe individual, por formal dhe se Presidenti ka detyrë vetëm të firmosë një propozim në këtë rast, pasi në Kushtetutë nuk thuhet në mënyrë eksplicite që Presidenti mund të kthejë mbrapsht një propozim”.

“A mundet Parlamenti të rrëzojë dekretin e Presidentit për një ministër? Sepse edhe kjo nuk është e shprehur në mënyrë eksplicite në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”, shtron pyetjen Presidenti.ATSH

Loading...