Dënimet që parasheh Kodi i ri Penal për ngacmimin seksual

Kodi i ri Penal, i cili është në procedurën e miratimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ka sjellë disa risi.
Në Kodin e ri tashmë në mënyre specifike përfshihet vepra “Ngacmim seksual“, vepër kjo e cila nuk përfshihet në Kodin aktual Penal.

Sipas Kodit të ri kushdo që ngacmon seksualisht personin tjetër, në veçanti personin i cili është i ndjeshëm për shkak të moshës, sëmundjes, paaftësisë, varësisë, shtatzënisë, paaftësisë së rëndë fizike apo mendore, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.

Kurse ngacmimi seksual sipas Nenit 183 paragrafi 2 nënkupton cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues, raporton kallxo.com.

Ndërsa në paragrafin 3 të nenit të lartcekur thuhet se dënim i veçantë parashihet për kryerësin e kësajt vepre penale, nga personi i cili është mësues, për personat si udhëheqës fetar, profesionist i kujdesit shëndetësor, person të cilit i është besuar rritja ose kujdesi i personit të tillë apo në ndonjë mënyrë tjetër ka pozitë të autoritetit mbi atë person.

Në këtë rasti kryerësi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në tre (3) vjet, raporton kallxo.com.

Kur vepra penale e ngacmimit seksual kryhet me përdorim të armës, mjetit të rrezikshëm ose ndonjë sendi tjetër që mund të shkaktojë lëndim të rëndë trupor apo dëmtim të rëndë të shëndetit mendor apo fizik, kryerësi dënohet me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.

Procedura penale për veprën penale të këtij neni fillohet sipas propozimit.

Kodi i ri Penal i Republikës së Kosovës pritet të hyjë nё fuqi më 1 janar 2019./Lajmi.net/

Loading...