Drejtësia italiane ka dënuar me 3 vite burg dhe 1 mijë euro gjobë një shqiptar, pasi akuzohet për një sërë vjedhjesh në zonën e Aosta. Shqiptari A. Ndreka 42 vjeç u arrestua në shkurt të vitit të kaluar së bashku me partneren e tij italiane, ndërsa masa e sigurisë për këtë të fundit pritet të jepet më 21 janar, raporton Ansa.
Shqiptari akuzohet për grabitjen e 5 apartamenteve mes të vitit 2014 dhe tetorit 2017 dhe synonte kryesisht bizhuteritë me vlerë. Çifti përdorte një strategji të veçantë për grabitjen e tyre dhe ndiqnin me përpikmëri planin.
Pesë denoncimet që kishin përfunduar në polici, thuajse të gjithë jepnin të njëjtat karakteristika.
Shqiptari dhe partnerja e tij 32-vjecare shfrytëzuan marrëdhëniet që ekzistonin midis tyre dhe viktimave me një dinakëri të caktuar. Falë gjurmimit dhe informatave të vjedhura për pronarët ata hynin më pas në apartamente dhe grabisnin.
“Elementi që bëri të mundur lidhjen e 5 rasteve përfshinte disa bizhuteri që vetëm një person i caktuar mund t’i dinte se ku ishin atë ditë”, ka thënë prokurori i çështjes.
(d.d/BalkanWeb)