Deputeti i PS e pranon: Policët të ngathët, disa drejtorë kanë…

Dalja publike e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi për krimin në vend shkaktoi reagime të shumta, për faktin se mohoi që përgjegjësia për këtë të jetë vetëm e Policisë së Shtetit. Por për deputetin e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia, policia nuk duhet të ngjajë me një zjarrfikëse, që vepron vetëm kur ndodh ngjarja.

Në studion e “7 pa 5” në “Vizion Plus”, përballë gazetarit Thimi Samarxhiu, anëtari i Komisionit të Sigurisë tha se efektivët që janë në terren duhet të bashkëpunojnë për të mbledhur informacione për elementët kriminalë.

“Edhe Policia e Shtetit ka përgjegjësinë e saj. Policia nuk duhet të kryejë rolin e zjarrfikësit, të vihet në lëvizje vetëm kur ndodh krimi. Duhet edhe të parandalojë, duhet të marrë masa parandaluese. Këto bëhen me një punë dinamike, me një punë të pandërprerë të punonjësit të policisë që është në rrugë. Duhet të kenë informacion për individë me precedentë kriminalë apo që kanë armë.
Këtë informacion nuk e merr dot polici nëse punon i shkëputur. Në shumë situata policia gjendet e papërgatitur. Edhe kupola e policisë, do të ketë një ristrukturim të policisë sepse vijmë pas një periudhe zgjedhore. Është momenti ku policia duhet të kryejë një rol shumë efikas. Nuk duhet pritur që të ketë ngjarje të tilla të tjera, por duhet të ketë veprim të menjëhershëm, duhet të kemi një punë me eficente, një dinamikë më të re.”

Duke pranuar se disa uniforma blu janë të ngathët në punën e tyre e se disa drejtorë janë të lidhur me interesa të ngushta, Qefalia shtoi se ka oficerë të zotë që mund të bëjnë punën shumë mirë.

“Ngjarjet pasojnë njëra-tjetrën dhe është shumë e vështirë të kapësh fillin e të vendosësh sigurinë. Ka oficerë profesionistë që duhet të vihen me doemos në krye të komisariateve, drejtorive. Nuk kemi një polici të politizuar, por kemi veprime të punonjësit të policisë të ngathta. Ka ende drejtues policie që kanë interesa të ngushta. Nuk ka pse të ndërhyjë oficeri i policisë për të ndarë plazhin apo rërën.”

Këshillën për të krijuar një strukturë policore më dinamike, Xhemal Qefalia ia dha edhe Drejtorit të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

Loading...