Deputeti socialist shpjegon pse Rama mbylli dyert e Asamblesë: Për fuqinë e mesazhit të kryeministrit

Mbledhja e Asamblesë së PS-së u zhvillua me dyer të mbyllura për të rritur fuqinë e mesazhit të kryeministrit Rama. Kështu e sheh deputeti socialist Petro Koçi, i cili nuk priste nga kjo mbledhje ndryshime në qeveri.

“U zgjodh formati i një mbledhje me dyer të mbyllura për të rritur fuqinë e fjalës së km dhe anëtarët e asamblesë. Kur mbahen për publikun duket si hipokrizi e retorikë politikë dhe ky format ishte për të dhënë mesazhin drejtpërdrejt se kjo është një situatë që kërkon reflektim në ndërgjegjen e gjithsecilit.
Nuk kam pritur ndryshime të thella në qeveri. Ka qenë pritshmëri mediatike. Çështja e ndryshimeve në qeveri është në tagrin e kryeministrit dhe unë nuk kam pritur ndryshime në qeveri, pavarësisht natyrës së Ramës për të papritura. E kam menduar si format që do shqyrtonte çështje partiake.

Kam pritur që mbledhja të fokusohet te struktura e partisë dhe mendoj që këtë herë kryeministri u kap te kjo pjesë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar sa prevalon partia me përfaqësuesit në pushtet”, deklaroi Koçi.

Në lidhje me shkrirjen e sekretariatit të PS-së, ai tha se partia ka nevojë për balancim dhe lidership më protagonist.

“Të gjithë kanë merita dhe Gjiknuri në qarkun e Elbasanit e tejkaloi objektivin. Unë gjykoj që partia në raport me përfaqësimin në pushtet është pak në nivelin e duhur për nga zëdhënia e protagonizmi dhe kjo çoi në gjykimin e kryeministrit për të propozuar shkrirjen e sekretariatit.

Peshën e zëdhënies politike, qeveria, kuvendi dhe jo thjesht partia ka nevojë për një balancim. Na duhet lidership më protagonist. Dhe kjo nevojë u mbështet nga asambleja” tha Koçi.

Anashkalimi i çështjes së Arben Ahmetaj në këtë mbledhje për Petro Koçin është çështje e drejtësisë.

Sipas tij vendimi më i rëndësishëm është heqja e imunitetit dhe dhënia e lejes për arrestim.

”Çdokush që mund të ketë probleme me drejtësinë ka vetëm një gjykim. Vendimi më i rëndësishëm është heqja e imunitetit dhe dhënia e lejes për arrestim.

Reforma në drejtësi është meritë e PS dhe kjo që po ndodh është një furtunë që e ka ngritur vetë PS, prandaj dhe qytetarët e votojnë PS edhe pse ka ndodhur që përfaqësuesit e saj të niveleve të larta të shkojnë në bankën e drejtësisë.

Ne nuk vëmë politikën mbi drejtësinë. Duhet të ketë një dispozitë statuti që e bën automatikisht përjashtimin. Është një gjë që duhet ta verifikoj. Mendoj se ky vendim nuk është i pengueshëm. Qasja e opozitës ishte komuniste. Unë besoj që këto janë raste e procedura që duhet të jenë serioze. Opozita u përpoq të thoshte që drejtësia jemi ne. Kjo është jo serioze”, shtoi ai.

Loading...