Deputetje e opozitës së re, e ardhur nga radhët e Partisë Demokratike, Fatjona Dhimitri ka treguar ditën e sotme se ditën kur në Kuvend ku ë votimi i Rezolutës kundër dekretit të Presidentit nuk është lejuar të mbaj fjalën e saj gjatë seancës plenare.
Ajo ka deklaruar se është regjistruar sipas procedurave përkatëse por nuk ka mbundur të baj fjalën sepse nuk i është dhënë minutazhi i duhur kohor.
Sipas saj duket se fjalas nuk i është dhënë sepse deputetët do të votonte kundër Rezolutës për dekretin e Presidentit.
Fjala e plotë e Fatjona Dhimitrit:
Të nderuar deputetë,
Më së pari u drejtohem zgjedhësve dhe elektoratit të zonës sime! Sepse te ata është përgjegjësia nga ku buron sjellja ime si deputete! Unë i siguroj ata se mbetem sikurse jam paraqitur përpara tyre një deputete e qendrës së djathtë e listës të partisë demokratike.
Dhe si e tillë në planin procedurial u përmbahem dy vlerave bazë të një së djathte demokratike që ka sjellë demokracinë në Shqipëri!
Vlera e parë konservatorizmi i shëndetshëm si vlerë progresi.
E dyta, respekti i normave juridike formale, i ligjit, i procedurave në shkronjën dhe frymën e tyre. Dua t’i siguroj se edhe kur pranova të jem në një listë kandidatësh për deputetë në qarkun e Gjirokastrës, ndonëse jo në një pozicion fitues, e bëra kundër interesit tim, por në respekt të kodit zgjedhor elektoral. Edhe kur mora mandatin e deputetes në Kuvendin e Shqipërisë pas largimit të kolegëve të tjerë ish deputetë sipas gjykimit të tyre, e bëra sepse jam konservatore dhe legaliste, pra mbi të gjitha kam respekt për ligjin dhe procedurën. Edhe tani, kur theksoj se pavarësisht që nuk kam tagër të gjykoj dekretin e Presidentit të Republikës për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019, ne si Kuvend nuk kemi asnjë kompetencë të gjykojmë kushtetueshmërinë e atij dekreti, unë përsëri mbetem konservatore dhe legaliste, pra besnike e bindjeve të mija sepse gjykoj që ligji dhe Kushtetuta në një shtet të së drejtës mbetet vlera më e lartë të cilës i nënshtrohen të gjitha të tjerat! Mbi të gjitha unë nuk shkel dot as në betimin tim kushtetues, as në faktin e të qënurit antare e partisë demokratike, por as në detyrimet që burojnë nga formimi im prej juristeje, apo nga profesioni im si avokate. Së dyti u drejtohem të gjithë kolegëve deputetë, pa dallim ngjyrash politike, por vetëm si bartës të detyrimeve që burojnë nga betimi ynë kushtetues! A do ta respektojmë apo jo Kushtetutën? A do ta respektojmë apo jo betimin? Para kombit! Sepse kombi mbetet kurse deputetët, me ndonjë përjashtim, si vijnë ikin! Kush i mban mend deputetët e viteve 90?
Dekreti i Presidentit mund të jetë i gabuar. Mund të edhe të mos na pëlqejë. Mund edhe të mos i pëlqejë qeverisë apo zotit Kryeministër. Por pyetja është: A kemi ne një ndarje pushtetesh në Shqipëri apo Shqipëria për shkak të mendësive totalitare po shkon drejt asaj që ndarjen e pushteteve ta quajë tradhëti dhe krim? Ndarja e pushteteve nuk manifestohet as në përqafimet as në drekat e darkat sekrete a në restorante dhe as në unitetin midis kryeministrit dhe Presidentit të Republikës, si dikur kur kërkohej unitet i çelniktë midis Mehmetit dhe Haxhiut! Kjo do të ishte monizëm dhe totalitarizëm! Ndarja e pushteteve në një shtet ligjor manifestohet pikërisht kur bartësit e pushteteve të ndryshme janë edhe në kontradiktë me njeri tjetrin dhe kur kjo kontradiktë rregullohet e zgjidhet sipas Kushtetutës.
Kolegë të nderuar!
A kemi ne një gjykatë kushtetuese pikërisht për të gjykuar për ligjet tona dhe dekretet e Presidentit? Edhe logjika më e thjeshtë juridike, e kupton që përderisa ekziston një gjykatë e tillë, korrektuese, refuzuese e akteve potencialisht jokushtetuese, pra si garante e Kushtetutës, kjo do të thotë që dekretete dhe ligjet, edhe kur na pëlqejnë edhe kur nuk na pëlqejnë, nuk prekin as funksionin tonë as atë Presidentit. Gjykata Kushtetuese është atje, për të na korrigjuar. Ne jemi e vazhdojmë të jemi legjitim pa dhënë llogari ligjore dhe pa qenë të kërcënuar në mandatet tona! Cfarë ndarje pushtetesh do të pretendojmë ne pas asaj kur kryeministri pushon nga puna Presidentin? Ju lutem mos bëhemi qesharakë! Sa herë që ne si deputetë kemi bërë ligje nene të të cilëve mund të mos kenë qenë në përputhje me kushtetutën, a na ka shkarkuar njeri? A ka thërritur njeri: Tradhëtiii?! Jo sepse është pjesë e lojës kushtetuese. Prandaj çdo tentativë për shkarkimin e Presidentit, nga cdo anë që të vijë, nga deputetë republikanë, demokratë, apo socialistë, kjo po, është një dalje nga kuadri kushtetues i vendit! Por, edhe një vendim të tillë përsëri do të jetë gjykata kushtetuese që do ta gjykojë! I drejtohem kolegëve të mi demokratë që të mos e marrin me të keq diskutimin tim dhe pozicionin tim që është në përputhje me bindjet e mia dhe besoj me vlerat tona si demokratë! Ne kemi ardhur ose ndejtur këtu, në këtë Kuvend, në kundërshtim me një vendim të atyre që ishin në këto vende përpara nesh në listën e kandidatëve për deputetë dhe që dorëzuan mandatet e tyre. Unë mora mandatin tim si deputete, por nuk e hedh gurin kundër atyre që ishin këtu përpara meje. Interpretimet e ndryshme na ndanë, uroj përkohësisht! Na ndanë përkohësisht, sepse unë i qendrova deri në një ligjit dhe respektimit të tij. Sikurse besoj se i qendron edhe partia demokratike, pjesë e së cilës jam. Për mua ligji në një shtet të së drejtës është autoritet më i lartë se politika e ditës. Nëse ka shtet të së drejtës amà! Kështu besoj keni menduar edhe ju! Eshtë rasti përsëri që ne ta dëshmojmë bindjen tonë në respekt të Kushtetutës. Dekreti presidencial mund të mos na pëlqejë, por respektimi i Kushtetutës më bën t’ju kujtoj si juriste që jam se Kushtetuta, edhe sot si përpara disa javësh kur morëm mandatin tonë, është mbi dëshirat dhe synimet politike, mbi llogaritë personale apo të karrierës individuale. Nuk mundemi ne kurrsesi që para disa javësh të ndaheshim nga vendimi i partisë sonë sepse donim të respektonim logjikën formale të ligjit, dhe sot, kur qeveria na thërret, për arsye që nuk dua t’i mendoj, të sillemi ndryshe, pra ta braktisim Kushtetutën dhe frymën formale të saj, për t’u hedhur në prehrin e politikës të ditës, të realpolitikës ! Nuk mundemi që brenda pak javësh të shpalosim dy vlera të ndryshme ! Eshtë vetëdiskredituese! Ky do të ishte mbarimi ynë politik ! As nuk më shkon ndërmend, që ju kolegë do ta bëni këtë, ose do t’ju lindi dëshira autokrate, karakteristike për vitet ’90, të merrni masa ndëshkuese ndaj meje! Sepse ju keni kundërshtuar bashkë me mua masat ndëshkuese të partisë sonë kur ne bëmë këtë zgjedhje për të qenë këtu, zgjedhje në respekt formal të ligjit, zgjedhje që sipas një vlerësimi politik që unë nuk e gjykoj tani dhe këtu, nuk ishte ajo e kryesisë së partisë sonë, dhe e ish grupit tonë parlamentar! Uroj që duke mbetur opozitare ndaj korrupsionit, ndaj manipulimit të votave, shkeljeve ligjore, së bashku me partinë socialiste dhe të gjitha partitë e tjera të dëgjojnë vullnetin popullor, thirrjet e partnerëve tanë perëndimorë, sidomos të atyre që vijnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian, për të garantuar mbajtjen e zgjedhjeve në afatin më të përshtatshëm, si zgjedhje të lira, të barabarta, të ndershme.
Po ashtu i bëj thirrje Prokurorisë të zbardhi sa më shpejtë rezultatin e hetimeve për çështjet që ka në dorë dhe që na ndihmojnë për të parë qartë se çfarë ka ndodhur dhe ndodh me procesin elektoral në Shqipëri.