Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, akuzoi qeverinë për fshehjen e borxhit pasi sipas saj në projektbuxhetin e vitit 2023 nuk janë deklaruar plot 1 miliard euro borxh që vjen nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni.
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, Tabaku, tha se ato vijnë nga zëra që qeveria i cilëson si të suksesshme, por që janë gropa e madhe e borxhit publik dhe një premtim i pa mbajtur. Teksa renditi shkaktarët e rritjes së borxhit, Tabaku hodhi akuza se procesi i rindërtimit po nuk po vazhdon me kredi të butë, por nga 1 miliard euro 700 milionë prej tyre janë me 3.75 për qind interes
“Qeveria shqiptare u angazhua në 2013 që borxhi do shkonte 60 për qind të PBB, deri në 2019 nuk kishte asnjë pengese të mbante këtë pretim.
Sot, detyrimet e prapambetura shkojnë me shumë sesa pretendonit ju: 400 milionë euro rindërtimi, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut 20 milionë euro, Arbitrazhi 338 milionë euro; dhe sipas vetë qeverisë, borxhe të njohura nga qeveria janë 137 milionë euro. Në total 945 milionë euro
Sipas raportit të KLSH-së, qeveria u detyrohet 11 miliardë lekë bashkive. Pra, 1 miliard euro borxh, detyrime të prapambetura, të cilat nuk janë llogaritur pjesë e borxhit dhe për transparencë në këtë buxhet duhet të ishin të reflektuara.
Qeveria shqiptare premtoi se u morën 1 miliard euro për rindërtimin; 300 milionë euro grante, 700 milionë euro tha që janë kredi të buta. Ndërkohë, sapo thatë, nuk ka asnjë kredi të butë. Na premtuat 2 për qind, dhe po përdorni Eurobondin dhe çdo fond që është marrë me 3.75 për qind.
Borxhit për energjinë, që kompanitë e energjisë përveçse korrupsionit kanë edhe borxhet më të larta ndërmjet njëri-tjetrit dhe papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme që lidhet me detyrimet që vijën nga PPP-të, që ministrja njësoj si paraardhësja, thotë se nuk merren nga buxheti i shtetit.
Qeveria deklaron që do të marrë serish Eurobond. 75% e Eurobondit në vite ka shkuar për të shlyer borxhin. Nëse marrim borxh për të shlyer borxhin me norma interesi që sot marrin gjithë buxhetin edhe të arsimit, edhe të pensioneve, edhe vazhdojmë me të njëjtën strategji të PPP-ve dhe detyrimeve të prapambetura”, tha Tabaku.
REAGIMI
Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, deklaroi dje se qeveria ka parashikuar marrjen e një Eurobondi prej 500 milionë eurosh, nëse kushtet janë të favorshme.
“Për vitin 2023 në skenarin bazë, nevoja për financim neto është 55 miliardë lekë, 25 miliardë nga këto do mbulohen nga huamarrja e brendshme, pjesa tjetër 30 miliardë përmes financimit nga tregjet e huaja, Eurobondit dhe mbështetjeve buxhetore. Në vitin 2023, qeveria do dalë në Eurobond të ri me vlerë minimale 500 miliardë euro.
Përgatitjet për emetimin e Eurobondit tashmë kanë filluar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila do të jetë gati në fillim të vitit 2023 për të dalë në tregjet ndërkombëtare.
Dalja në Eurobond do të bëhet vetëm nëse kushtet e tregjeve do jenë të pranueshme për të realizuar një transaksion të suksesshëm në vlerë, normës së interesit dhe afatit.
Duke ditur pasiguritë e larta që mund të kenë tregjet financiare, Ministria e Financave dhe qeveria ka kohë që po shtyjnë përpara materializimin e një mbështetje buxhetore pre 240 milionë eurosh”, u shpreh ministrja, ndërsa shtoi se:
“Në vitin 2023, parashikohet Borxhi Publik në nivelin 67.5% të PBB, nga 68.8% që pritet këtë vit, apo 73.2% që rezulton në vitin 2021. Objektiv rritja e jetëgjatësisë në borxhin e brendshëm, aktualisht është 830 ditë, nga 739 ditë që ishte në 2021”.