Deputete e Partisë Socialiste Blerina Gjylameti më datë 23 tetor, ndau me të gjithë publikun lajmin se është infektuar me Covid-19. Por prej një jave tashmë ka dalë negative.
Blerina është nënë e një djali 11 vjeç që quhet Joel dhe në pritje përsëri të një djali. Në një lidhje me emisionin e Rudina Magjistarit, Gjylameti ka treguar për eksperiencën e saj dhe sa të vështirë e ka pasur ta përballojë këtë sëmundje duke qenë se është dhe shtatzënë në muajin e fundit.
“Është e vërtetë që kur je në pritje të një fëmije, çdo gjë bëhet edhe më e vështirë nga pikëpyetjet që ke. Normalisht që nga ata që janë të infektuar me Covid-19, ka pikëpyetje, sepse është një situatë shumë e re për të gjithë ne dhe e patestuar më parë, por kur pret një fëmijë, pyetjet shtohen më shumë. Ajo që është më e rëndësishme në këto momente është qetësia dhe këshillimi me mjekët.
Në lidhje me simptomat e para që vuri re, Blerina tha se ato kanë qenë të ngjashme me ato të një viroze të stinës:
“Kam pasur simptoma të lehta, një ngacmim në fyt, një temperaturë e cila ishte 37.5 dhe e gjitha kjo e shoqëruar me pikëpyetjet që kisha. Iu drejtova institucioneve për të bërë dhe tamponin përkatës”.
“Vështirësitë e para ishte më shumë fakti se çfarë do të ndodhë më pas sesa shqetësimet e mëdha të momentit. Më pas, kjo ishte e kombinuar nëse ishin shqetësime të shtatzënisë apo të virusit dhe kjo e bënte të vështirësohej më shumë situata. Ajo që kam pasur më shumë problem, ka qenë vështirësia me frymëmarrjen ku u drejtova edhe në spital për të bërë skaner të mushkërive për të pasur nëse kishte ndonjë prekje të lehtë të mushkërive, gjë që u vërtetua se ishin prekur”.
Në lidhje me kurën që përdori, Gjylameti tha se “kam pasur një trajtim me medikamente, me antibiotikë, ishin shumë të lehta. Këto ishin në bazë të një konsulte që u bë nga mjeku pleumolog dhe mjekja gjinekologe për t’i paraprirë dhe situatave të tjera që kanë të bëjnë edhe me situatën time që ishte pak më specifike se rastet e tjera që kishte të bënte me shtatzëninë. Nuk ishin medikamente të rënda, por medikamente të lehta që mund të përdoren dhe në shtatzëni”.
/Balkanweb/