Në kuadër të Rrjetit Europian të Ndërmarrjeve, Rrjeti Praxi në bashkëpunim me Agjencinë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), organizojë të premten në Athinë, Greqi, misionin e biznesi ndërmjet kompanive shqiptare të vogla dhe të mesme, kompanive greke dhe atyre europiane që operojnë në sektorin e turizmit.
Ky aktivitet do të zhvillohet gjatë edicionit të 5-të të Panairit “Expo 2018 të Turizmit Grek”, që do të zhvillohet në Athinë.
Panairi do të paraqesë propozime për destinacione turistike në të gjithë Greqinë. Panairi do të presë më shumë se 300 ekspozues dhe 150 blerës ndërkombëtarë nga 45 vende në të gjithë botën dhe veçanërisht nga Europa, SHBA, Ballkani, Azia dhe Lindja e Mesme.
Gjatë misionit, operatorët turistikë grekë, shqiptarë dhe europianë, kompanitë e TI, agjencitë ajrore, hotelet, dhomat e tregtisë dhe profesionistë të tjerë në industrinë e turizmit do të kenë mundësi të krijojnë kontakte ndërkufitare për bashkëpunime të ardhshme, nëpërmjet takimeve individuale të paracaktuara, me qëllim lidhjen e biznesit dhe dizajnimit të produkteve të reja turistike.
Ky panair do të mbahet në dhjetor të vitit 2018 nën emrin e markës së re “Turizmi Ndërkombëtar i Athinës”, duke zgjeruar portofolin të pjesëmarrësve dhe duke përfshirë më shumë tregje turistike.ATSH