Ka qenë rreth orës 21:30 kur të afërm të 22-vjeçarit janë vënë në kërkim të tij. Ata e kanë gjetur pa shenja jete në një kanal, në anë të rrugës pranë fshatit Hoxhare e Vjetër të Njësisë Administrative Dërmenas në Fier. Në anë të rrugës janë gjetur mbetje të parakolpit të makinës, çka përforcon dyshimet se ai është përplasur.
Një trup i pajetë është gjetur në një kanal në fshatin Hoxhare e Vjetër të Njësisë Dërmenas në Fier mbrëmjen e kësaj të diele. Mësohet se viktima është A.Xh, 22 vjeç. I riu dyshohet se është përplasur nga një automjet dhe ka përfunduar në kanal me plagë të rënda në trup.
Burimet e para thonë se pas përplasjes trupi i pajetë është gjetur nga familjarët dhe është shoqëruar për në spitalin e Fierit. I riu është dërguar me urgjencë por pa shenja jete, derisa mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij. Kanë qenë të afërmit e tij të cilët janë vënë në lëvizje pasi i riu nuk po kthehej në shtëpi.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur forca të shumta policie dhe pista që po hetohet është ajo e përplasje të mundshme nga një automjet teksa ka qenë duke ecur dhe është vënë në kërkim të drejtuesit të automjetit. Dyshimet e grupit hetimor përforcohen edhe më shumë pasi në anë të rrugës janë gjetur edhe copa të cilat ngjasojnë me pjesën e parakolpit të një makine.
Njoftimi i Policisë:
Fier
Informacion paraprak
Gjatë orëve të mbrëmjes, në aksin rrugor Fier-Ndërmënas, në kanalin anësor të rrugës është gjetur trupi i pajetë i shtetasit A.Xh, 20 vjeç.
Nga rrethanat në të cilat është gjetur trupi i pajetë dyshohet të ketë ndodhur aksident automobilistik pasi ka mbetje nga mjeti që e ka goditur.
Po punohet për identifikimin e mjetit dhe drejtuesin e tij. Eshtë ngritur grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.