Një jaht me flamur holandez, 16 metër i gjatë, i cili ishte nisur nga ishulli i Korfuzit, në Greqi, është mbytur mesditën e sotme rreth 2 milje larg bregdetit të Sarandës.
Menjëherë pas lëshimit të sinjalit ‘SOS’ pranë vendit të quajtur Kepi i Gjefalit në ujërat e detit Jon, në drejtim të mjetit lundrues janë nisur forca të Policisë Kufitare të Sarandës.
Ndërhyrja e menjëhershme e policisë ka bërë që të shpëtohet pronari i jahtit, një shtetas italian, 52-vjeç, ndërsa nuk bëhet i ditur identiteti i tij. Mësohet se italiani ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
Pasi është shoqëruar në komisariat, ai ka deklaruar se ishte nisur për turizëm dhe se udhëtonte i vetëm me jahtin e tij. Kjo konfirmohet edhe nga autoritetet portuale greke. Ai ka deklaruar se ishte nisur nga një port italian disa ditë më parë me destinacion fillimisht Korfuzin. Nga ishulli grek, italiani ka udhëtuar në drejtim të Shqipërisë mëngjesin e sotëm, por gjatë lundrimit në det jahti ka pësuar defekt çka ka bërë që të mbytet brenda pak minutash.
Policia kufitare ka nisur hetimet mbi shkaqet e mbytjes së mjetit lundrues, ndërsa po hetohet edhe pista e një udhëtimi që kishte tjetër qëllim nga turizmi.