Detaje nga ngjarja në Porto Palermo – 3 km mes frikës e gjakut (foto)

Dalin pamjet e tmerrshme të sulmit ndaj turistëve spanjollë në Porto Palermo nga pronari i një lokali, Mihal Kokëdhima. Pamjet nuk kanë nevojë për koment.

Dje, Policia e Sarandës i ka vënë prangat pronarit të një lokali në Porto Palermo, Mihal Kokëdhimës, 51 vjeç, i cili pushtoi mediat ditën e djeshme.

Kokëdhima akuzohet tani për ‘kanosje’, “dëmtime të tjera me dashje’ dhe ‘shkatërrim prone’.

Kokëdhima, me një agresivitet të parë, sulmoi një grup turistësh spanjollë që kishin shkuar në lokalin e tij dhe në fund fare, u shkatërroi edhe furgonin me të cilin ata udhëtonin.

Ai hipi mbi kofano dhe u godiste me grushta xhamin e përparmë për gati 3 km, skenë kjo që u filmua nga turistët e tmerruar.

Videoja tani është në duart e Policisë dhe skena paraqitet sa qesharake, e pabesueshme, aq dhe tronditëse.

Turistëve nuk u kishte pëlqyer shërbimi në lokalin e tij, ndaj Kokëdhima që s’e ka duruar t’i kthenin shpinën, u është vërsulur atyre në një akt të paprecedentë.

Policia e Sarandës njoftoi se në bashkëpunim me Policinë e Himarës, pas hetimeve të kryera mbi konfliktin e djeshëm në një lokal në Himarë, e kanë arrestuar 51-vjeçarin.

Kokëdhima, për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë një grup turistësh spanjollë dhe më pas ka dëmtuar mjetin e transportit privat të tyre. Ai është konfliktuar fizikisht me ta duke u shkaktuar dëme në trup, por më shumë është dëmtuar shtetasia spanjolle K.R.

Loading...