Kanë dalë detaje të reja nga aksioni i policisë në Elbasan ku u prangosën Enver Çapja dhe Naim Gjuri.
Burime nga policia kanë bërë të ditur se, në banesën e 38-vjeçarit Gjuri u gjet 1.5 kg lëndë eksploziv bashkë me një mekanizim shpërthyes.
Për këtë ekspertët xhenierë po kryejnë verifikime, pasi mina ishte pajisur me aparat celular dhe ka dyshime se mund të përdorej në ndonjë atentat.
Ende nuk dihet se kush ka qenë objektivi, ndërsa uniformat blu vazhdojnë operacionin në rrugët e qytetit ku janë ngritur postblloqe.
Të njëjtat burime thanë se banesa e 38-vjeçarit Gjuri shërbente si bazë për të mbajtur armatimin luftarak.
Ajo prej kohësh mbahej nën vëzhgim nga agjentë të policisë.
Përveç minës me telekomandë, në banesë u gjetën edhe dy armë zjarri pistoletë, municion luftarak si edhe një sasi e konsiderueshme monetare.
Përveç dy të arrestuarve u shoqëruan në policie edhe 8 persona të tjerë që më pas janë lënë të lirë.
Burime pranë uniformave blu thanë se operacioni synon të godasë grupe të njohura kriminale në qytet si dhe për zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda të ndodhura kohët e fundit. /TvKlan