Detaje të reja nga ngjarja në Krastë të Elbasanit ku pas ndjekjes nga policia, 5 makina përfunduan të aksidentuara dhe 5 persona mbetën të plagosur.
Personazhi që ka ngritur më këmbë policinë e Elbasanit por jo vetëm është shtetasi Aldiron Shehu, i cili është arrestuar.
Ky person udhëtonte me një makinë tip “volkswagen pasat” me targa greke nga Korça.
Aty nuk i është bindur policisë për të ndaluar dhe ka vijuar rrugën drejt Pogradecit. Po ashtu edhe në Pogradec e Librazhd nuk i ka qëndruar postblloqeve.
Është njoftuar policia e Elbasanit e cila ka ngritur një postbllok me forca rendi dhe shqiponjash për të ndaluar të dyshuarin.
Ky i fundit nuk i ka qëndruar as postbllokut dhe ka përplasur një mjet të forcave “Shqiponja”. Më pas për shkak të lëvizjes, mjeti i Shehut ka dalë në krahun tjetër të rrugës dhe ka përplasur dhe 2 mjete të tjera. Gjatë kësaj kohe policia ka qëlluar në ajër për të paralajmëruar Shehun, i cili u vu në pranga. Ai rezulton me precedentë penal pasi të njëjtin episod e ka kryer edhe gjatë vitit 2018.