Deti – Poezi nga Fatos Arapi

I vogël, me pantallona të shkurtra,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaije , që e qepte vetë gjyshja…

Ashtu darkë për darkë dilja në breg.
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumurta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhë – aradhë,

Turfullonin.

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulcuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë,
jelet e hakërryera dallgë – dallgë fushën e djellit fshinin .

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshperonin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë…

Sytë u flakëronin.

Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më coptonin.

Kur ja me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigande
miliarda grimceza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjëra të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët , rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njeri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…

Loading...