Dhuna në familje, Rama: Policia shpërfill klithmat e grave, strukturat t’u përgjigjen ndaj çdo thirrje!

Kryeministri Edi Rama e cilësoi në nivele të ulëta reagimin e Policisë së Shtetit ndaj denoncimeve të qytetarëve për dhunë në familje.

Duke vënë theksin në përdorimin e komisariatit digjital, Rama thotë se policia shpërfill vuajtjet e vajzave dhe grave që dhunohen në familje.

Kreu i qeverisë i bën thirrje të gjithë strukturave të policisë që t’i përgjigjen ndaj çdo thirrje të tillë dhe të mos bëhen si gjykatësit që marrin lekë nga abuzuesit dhe i lirojnë për t’iu hedhur sërish në fyt grave dhe vajzave.

“Prioriteti i fundit është vënia në përdorim me një standart tjetër, teknologji më të avancuar dhe një protokoll më rigoroz të komisariatit digjital.

Ka qenë një ndihmë shumë e madhe dhe tani kemi mundësi ta çojmë në një nivel tjetër në mënyrë që çdo qytetar atë ta ketë në xhep dhe komisariati të jetë syri juaj dhe partneri në drejtim që t’ju mundësojë të bëni detyrën tuaj. Dua të përmend një element shumë shqetësues. Denoncimet për dhunën në familje.
Është shumë shqetësuese që Policia e Shtetit ka nivel të ulët ndjeshmërie, shpërfillen klithmat e vajzave dhe grave që dhunohen në familje. Shpërfillen totalisht vuajtjet dhe dhimbjet e patregueshme të atyre që mund të ishin gratë dhe motrat e secilit prej nesh.

Duhet ndërtuar brenda gjithë sistemit një rrjet me personat përgjegjës dhe jo një çështje mes çështjesh të tjerash. Nuk është detyra ime të merrem me dhunën në familje dhe çdo thirrje të merret me seriozitet që pastaj në fund përfundojnë në tehun e sëpatës. Nuk mund të ketë në asnjë rast dhe për asnjë arsye mirëkuptim me burrat në këtë fushë. Policia nuk mund të jetë një kopje karikaturë e atyre gjykatësve që bëjnë kërdinë në kurrizin e vajzave duke marrë lekë nga abuzuesit dhe duke i liruar në sallë dhe duke i hedhur në fyt të bashkëshorteve ose vajzave të tyre. Dua ta mbyll aty ku e nisa për tju thënë që pritshmëria është e lartë dhe ky fakt është shumë motivues dhe frymëzues” – tha Rama.

Loading...