Dikur ushqimi i të varfëve sot një nga bishtajoret më të kërkuara,bathë në tavë (receta)

Tava me bathë në shtëpinë tonë na sjell ndërmend çdo muaj Maj të vitit, ku tradicionalisht gatuhet tava me bathë disa herë gjatë muajit dhe tava me oriz dhe bibë (zogu i patës).

Nuk e di sesa tipike është tava me bathë në familjet tuaja ose në zonat prej nga vini.

Nëse 60 vjet më parë batha ka qenë ushqim i të varfërve, sot është nga bishtajoret më të kërkuara në dieta për shkak të përbërësve të saj me shumë ujë, fibra, proteina dhe sasi të pakonsiderueshme të yndyrës.

Përbërësit:
Bathë kokërr
½ kg qepë e njomë
2 tufë kopër
1 filxhan çaji kumbulla të vogla të tharta
Vaj ulliri
1 lugë çaji spec i kuq
2 lugë gjelle miell
Kripë

Përgatitja:
Ziejmë bathët. Siç ja u shpjegova më lartë nëse batha kokërr ka cipë të hollë mos i pastroni ato. Në të kundërt pas zierjes do duhet ti qëroni kokrrat e bathës një për një nga cipa e trashë.

Në rastin tim bathët ishin shumë të njoma dhe nuk kishin nevojë për proçesin e heqjes së lëkurës. I shtroni bathët në tavën e gatimit, mbi to hidhi kumbullat dhe filloni me përgatitjen e gjellës.

Në një tigan me vaj ulliri (ose vaj për gatim) shtoni qepët e njoma të grira bashkë me gjethet jeshile. I kaurdisim qepët në flakë të ulët me kapak sa ato të ulin volumin dhe të “vriten” pak.
Në këtë moment shtojmë specin e kuq, kripën dhe dy lugë miell dhe trazojmë mirë.

Shtojmë një gotë ujë, dy tufat e koprës së grirë dhe rregullojmë masën me kripë nëse ka ende nevojë. Fikeni zjarrin. Gjellën që sapo gatuam e shtojmë mbi bathët dhe tavën e fusim në furrë të parangrohur më parë në 200 gradë.

Tava është gati kur krijon një cipë sipër dhe ka tharë gjysmën e lëngut të parapjekjes.

Lëreni tavën me bathë në qetësi për 10 minuta dhe servireni me pak vaj ulliri sipër dhe bukë të thekur sipas dëshirës.

 Ju bëftë mirë.

Loading...