Dimri që ndryshoi historinë

Midis 30 shtatorit 1941 dhe 20 prillit 1942, më shumë se 7 milion trupa u angazhuan në betejën për Moskën. Ky luftim mamuth qe humbja e parë reale e Hitlerit në Luftën e Dytë Botërore, por çuditërisht pak njihet rreth panikut, plaçkitjes dhe terrorit që ajo shkaktoi në Moskë apo strategjitë qesharake të të dyja palëve. “The Greatest Battle”, një libër nga Andre Nagorski, na jep një përshkrim të hollësishëm të kësaj beteje të bazuar në dokumentat sovjetike të deklasifikuara kohët e fundit.
Kam përshtypjen se “Beteja për Moskën” qe një seri betejash që çuan në kundërsulmin masiv të dimrit të Ushtrisë së Kuqe. Ndërsa Stalingradi qe vërtet një betejë e gjatë brenda dhe jashtë qytetit. Me pak fjalë, a nuk qe Stalingradi beteja më e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore?

E vërtetë, një prej diferencave midis betejës për Moskën dhe asaj për Stalingradin qe se trupat gjermane asnjëherë nuk u futën brenda kryeqytetit rus, kështu që luftimet u zhvilluan në afërsitë e tij. kurse në Stalingrad luftimet u zhvilluan si brenda, ashtu dhe jashtë qytetit. Por Hitleri dhe Stalini e panë Moskën si një betejë të gjatë, e cila u luftua për një periudhë prej rreth 200 ditësh, nga 30 shtatori 1941 deri më 10 prill 1942. hitleri e quajti atë “Operacioni Tajfun”. Numri i trupave të përfshira në të – 7 milion njerëz – qe sa dyfishi i atyre në Stalingrad dhe humbjet – 2.5 milion – qenë më shumë se dyfishi i atyre në Stalingrad. Ka shumë lloj arësyesh se pse Stalini dhe historianët e tij donin që njerëzit të besonin se Stalingradi qe një betejë më e madhe, më e rëndësishme. Humbjet e pabesueshme sovjetike në betejën për Moskën – 1.9 milion në një total prej 2.5 milion njerëzish – qenë në pjesën më të madhe rezultat i shumë gabimeve të Stalinit. Në kundërshtim me çfarë theksojnë tani Vladimir Putini dhe të tjerë, lidershipi ushtarak i Stalinit në fillimin e luftës qe pothuajse katastrofë dhe, për shkak se beteja për Moskën kundërshton aq shumë mite rreth Stalinit dhe asaj që ndodhi gjatë asaj periudhe, librat e historisë preferuan të fokusohen tek Stalingradi, që qe një fitore shumë më vendimtare për anën sovjetike.

Cili qe zbulimi juaj më i madh teksa shkruanit librin?

Pyetje me vend dhe e vështirë përderisa qenë kaq shumë prej tyre. Kur intervistova të mbijetuarit, kalova nëpërmjet raportesh të deklasifikuara kohët e fundit nga arkivat e NKVD-së (policisë sekrete) dhe burime të tjera dhe u habita sesa afër një kolapsi total të rendit dhe ligjit kish ardhur Moska kur u bë e qartë se gjermanët qenë gati ta merrnin qytetin. Pati plaçkitje, greva, një eksod masiv paniku. Ky qe Bashkimi Sovjetik i Stalinit, një shtet totalitar i bazuar mbi terrorin total dhe sërish njerëzit papritmas po i shpërfillnin të gjitha rregullar. Gjithashtu, më pas zbulova sesa përgatitje të thella qenë bërë nga ana sovjetike për një pushtim gjerman të qytetit. NKVD-ja po përgatitej që të linte prapa ekipe sabotazhi dhe vrasëse. Arrita të intervistoj disa prej rekrutëve për këto operacione speciale që janë akoma gjallë. Ose për të dhënë një shembull tjetër, sa shumë kuaj qenë angazhuar në luftime. Po, kuaj. Ushtria gjermane konsiderohej tejet e mekanizuar, por ajo e pushtoi Bashkimin Sovjetik me rreth 750 mijë kuaj, shumica e të cilëve si kafshë transporti. Këta ngordhën me një shpejtësi prej rreth 1000 kuajsh në ditë. Një tjetër histori e çuditshme është ses trupi i Leninit u evakuua fshehurazi nga mauzoleumi në Moskë dhe u fsheh në Tjumen, më shumë se 1000 milje larg. Mund të vazhdoj pa ndërprerje. Shpresoj se do ta lexoni librin dhe do të mëspni më shumë rreth gjithë kësaj.

Kam dëgjuar se dimri luajti një rol të madh në mundjen e Hitlerit në Rusi, por gjithashtu kam dëgjuar se trupat ruse qenë ushtria më e keqpajisur në Luftën e Dytë Botërore. Pse nuk i shkatërroi dimri ato?

Qe një keqllogaritje e madhe e Hitlerit për t’i dërguar trupat e tij në Rusi pa uniforma dimri. Ai ishte i bindur se do ta arrinte fitoren përpara se të fillonte dimri. Problemi i madh për Uhstrinë e Kuqe në fillim qe mungesa e armëve. Ata do të kishin më shumë rroba dimri se gjermanët, por shumë më pak armë në fillim. Stalini nuk i kishte përgatitur për pushtimin gjerman përderisa besonte se nuk ndodhte akoma. Ai la depot e armëve afër kufirit dhe ato menjëherë ranë në duart e gjermanëve. Shumë trupa sovjetike u dërguan në betejë pa armë. Atyre u thuhej që të merrnin armën e ushtarëve që e kishin një të tillë pasi të vriteshin. Imagjino të ndeshesh njësi gjermane të armatosura rëndë dhe të shkosh në betejë me duarbosh. Asnjë çudi pse numri i të vdekurve qe aq astronomik. Por kur erdhi dimri, rusët patën avantazhin e veshjeve më të mira dhe trupat e sjella nga Siberia qenë përgjithësisht të pajisura mirë për të ftohtë më të egër sesa dimri.

Cila do të thonit se qe pika më e afërt në betejë ku Stalini do t’ia kish lëshuar Moskën?

Qe mesi i tetorit 1941. Kjo qe periudha kur qyteti përjetonte panikun qa sapo përmenda. Shumë prej qeverisë sovjetike, sëbashku me ambasadat dhe korrespondentët e huaj u evakuuan me trena specialë në Kujbishev, qytetin mbi Vollgë rreth 600 milje larg që u supozua të shërbente si kryeqytet i përkohshëm ndërsa Moska ishte e pushtuar. Disa trupa gjermane qenë afër vetëm 25 milje nga Moska dhe nuk dukej se qyteti kishtë mjaftueshëm mbrojtësa sa për ta parandaluar rënien e tij.

Kujtoj se Stalini dhe qeveria sovjetike e evakuan Moskën. Qe ky një alarm i rremë? E patën gabim që u larguan? Kur u kthyen sërish?

Sigurisht që nuk ndjehej si alarm i rremë kur paniku ishte në zhvillim. Bisedova me Boris Makliarskin, djalin e një zyrtari të lartë të NKVD-së gjatë asaj periudhe, i cila më tha se i jati i kish treguar më pas diçka që i kundërshtonte të gjitha rrëfimet zyrtare se moskovitët gjithmonë besonin fuqimisht se do t’i mbanin larg gjermanët. I jati i tregoi se “98 në 100 moskovitë” mendonin se forcat e Hitlerit do ta merrnin Moskën. Por pavarësisht thashethemeve për të kundërtën, Stalini nuk e la qytetin. Sigurisht që mendoi për këtë dhe bile u tha ndihmësave të tij që i dërgoi në Kujbishev se do të bashkohej me ta. Një tren special e priste në stacion që ta merrte, por, siç e përshkruaj në libër, ai zrbiti në stacion dhe e rregulloi platformën në krah të trenit. Në fund, ai nuk i hipi trenit. Mendoj se shumica e vendimeve të Stalinit në fillim të luftës qenë katastrofikë – sidomos refuzimi për t’i lejuar trupat e tij që të përgatiteshim për një sulm që ai refuzonte ta besonte se po ndodhte – por meriton vlerësim për vendimin që të qëndronte në qytet. Sikur të ishte larguar, mesazhi do të kish qenë i qartë për këdo: edhe Stalini besoka se gjermanët nuk mund të ndalohen.

Kam qenë ne Moskë, kam qenë edhe në Berlin. Në pjesë të këtij të fundit janë akoma të dukshme shenjat se ku u zhvilluan luftimet e Luftës së Dytë Botërore, por nuk di asnjë vend të tillë në Moskë ku akoma mund të shikoni shenjat e betejës. Pse është kështu? Apo kam parë në vendet e gabuara?

Kjo është totalisht e kuptueshme. Kujtoni që gjermanët kurrë nuk hynë në Moskë dhe autoritetet sovjetike përqëndruan pjesë të madhe të mbrojtjeve të tyre ajrore brenda dhe përreth Moskës, kështu që qenë në gjendje t’i parandalonin avionët gjermanë nga shkaktimi i aq shumë dëmtimeve nga sa shpresonin nëpërmjet ajrit. Për shembull, Moska nuk u godit aq fort as sa Londra. Ndërtesa u shkatërruan, bile dhe Kremlini i mori disa goditje dhe pati viktima, por, me standardet e tmerrshme të luftës tokësore, kjo që shumë pak. Nga anaa tjetër, Berlini u godit fort në çdo mënyrë – “nga ajri, dhe nga forcat sovjetike që arritën të parat, duke luftuar nëpër rrugë kundër mbeturinave të makinës ushtarake dikur të fuqishme të Hitlerit. Shkatërrimet qenë të mëdha.

A nuk është e vërtetë që një prej gjërave që shpëtoi Moskën është se një ushtri e plotë i transferua nga Siberia për në front dhe këto forca qenë të afta t’i mbanin larg gjermanët?

Po, këto trupa luajtën një rol vendimtar, me rreth 400000 trupa të transportuar me trena specialë nga Siberia në muajt tetor dhe nëndor. Ato qenë përgjithësisht të pajisura mirë për dimrin, gjë që u dha atyre një avantazh të madh ndaj gjermanëve, shumica prej të cilëve qenë akoma me uniforma verore. Por Stalini e pati shansin që t’i tërhiqte prapa këto trupa për të shpëtuar Moskën vetëm prej dy arësyeve: Hitleri e kish vonuar sulmin ndaj Moskës nëpërmjet refuzimit të gjeneralëve të tij dhe këmbënguli që ata fillimisht të merrnin Ukrainën, gjë që e vonoi sulmin ndaj Moskës, dhe Riçard Sorge, spiuni i famshëm rus në Tokio, kish arritur të mësonte se Japonia nuk do të sulmonte Rusinë nga lindja – të cilës Stalini akoma ia kishte frikën. Sorge, i cili ishte një spiun jashtëzyakonisht i gjallë dhe i pafytyrë (ai flinte më gratë e zyrtarëve të lartë japonezë dhe gruan e ambasadorit gjerman, sa për të përmendur disa prej arritjeve të tij), mësoi se trupat japoneze po pajiseshin me gjëra vere, jo dimri. Kjo nënkuptonte se ata po drejtoheshin nga jugu, jo në lindje nga Rusia. Me që ra fjala, Stalini e urrente Sorgen. Kur spiuni u kap dhe më pas japonezët ofruan që ta përfshinin atë në një shkëmbim të burgosurish, Stalini pretendoi se nuk e njihte se cili ishte. Si rezultat, japonezët në fund e varën Sorgen.

Përse nuk u tërhoq më parë Hitleri?

Edhe kur ushtritë e Hitlerit dështuan që ta merrnin Moskën, lideri gjerman qe i bindur si ai eventualisht mund ta shpartallonte Bashkimin Sovjetik. Ushtria gjermane do të vazhdonte të luftonte – dhe të derdhte gjak – në frontin lindor deri në përfundim të luftës.

Duke pasur parasysh paaftësinë e dukshme të planifikuesve gjermanë, përse Çërçilli dhe Ruzvelti ngurruan që të hapnin frontin e dytë në Europë?

Kujtoni se deri kur Hitleri lëshoi pushtimin e Bashkimit Sovjetik në fund të qershorit 1941, Britania e Madhe po luftonte e vetme dhe kjo qe një luftë për mbijetesën e saj. Hitleri kish pushtuar pjesën më të madhe të Europës kontinentale. Pakti i mossulmimit nazisto – sovjetik qe akoma në fuqi dhe Bashkimi Sovjetik aktualisht po e ndihmonte Hitlerin, duke e furnizuar atë me një fluks fiks furnizimesh. Stalini këmbëngulte se gjithçka i duhej dhënë Hitlerit siç i ishte premtuar, në mënyrë që ai të mos kish gojë që të mos ankohej ndaj tij, dhe Shtetet e Bashkuara nuk kishin hyrë akoma në luftë. Kështu që askush nuk ishte gati për të hapur një front të dytë në Europë. Pasi Bashkimi Sovjetik u pushtua, Çërçilli u tërbua kur Stalini menjëherë këmbënguli që britanikët ta hapnin një front të dytë. Siç i tha ambasadorit sovjetik në Londër, deri në atë kohë ai nuk ishte i sigurtë se me cilën anë do të ishte Bashkimi Sovjetik sapo t’i bashkohej luftës.

Çfarë ndodhi me rusët që u kapën në Moskë si robër lufte nga ana e gjermanëve?

Gjatë betejës për Moskën, gjermanët kapën një numër shumë të madh robërish sovjetikë, disa prej të cilëve u dorëzuan menjëherë, por Hitleri këmbënguli që ata të trajtoheshin si “untermenschen”—nënnjerëz. Kjo nënkuptonte se ata u trajtuan brutalisht, vdiqën nga uria dhe nganjëherë u vranë menjëherë. Komisarët sovjetikë supozohej që të ekzekutoheshin menjëherë në vend. Shumica dërrmuese e këtyre të burgosurve humbën jetën, siç ndodhi me shumë robër lufte gjermanë të kapur më vonë nga ana sovjetike. Kjo qe një politikë vetëshkatërruese për Hitlerin. Kjo e bëri punën e oficerëve sovjetikë më të lehtë qyshkur njerëzit e tyre filluan të kuptojnë se shanset e tyre për mbijetesë nuk rriteshin domosdoshmërisht nëqoftëse dorëzoheshin. Numri i trupave që dorëzoheshin filloi të bëhej dukshëm më i vogël. Veç kësaj, Stalini urdhëroi që secili nga njerëzit e tij që përpiqej të dorëzohej do të pushkatohej në vend.

Cili qe avantazhi i madh që pati Stalini me humbjen e të gjitha këtyre betejave fillestare? Mos e bëri qëllimisht?

Kjo qe një prej çështjeve më të hershme të nxjerra nga ana sovjetike. Në dhjetor, pasi forcat sovjetike filluan t’i shtynin gjermanët nga afërsia e Moskës, gazetarët perëndimorë u lejuan të ktheheshin në rajonin e Moskës për të parë një çikë se çfarë po ndodhte. Një propagandist sovjetik u përpoq të bindëte disa korrespondentë amerikanë sesi forcat e Stalinit qëllimisht ishin tërhequr për t’i futur në kurth gjermanët thellë në territorin e tyre. Sigurisht, kjo qe e pakuptimtë. Kur gjermanët sulmuan, Stalini urdhëroi kundërsulme të menjëherëshme, megjithëse trupat e tij nuk qenë në kushtet për ta bërë një gjë të tillë dhe në shumë raste po dorëzoheshin në sasira të mëdha. Kështu që mund të shikoni se nga momenti që periudha e keqe për Moskën mbaroi, ana sovjetike u përpoq që ta rishkruante historinë në një mënyrë që do të mbulonte shumë nga ajo që realisht ndodhi.

A ju çdo ndonjë kërkim lidhur me këtë libër në fushëbetejat e Rusisë?

Po, shkova në disa prej fushëbetejave të vjetra afër Viazmës, e cila ishte në rrugën drejt Moskës për ushtrinë gjermane. Ato fushëbeteja tani janë totalisht mbuluara me vegjetacion dhe të braktisura, apo plot me armë të pashpërthyera, mbeturina uniformash e automjetesh dhe bile mbeturina njerëzore. Qindramijëra trupa sovjetike u rrethuan nga gjermanët në Viazma dhe pothuajse u asgjësuan. Shumë prej të vdekurve nuk u varrosën asnjëherë siç duhet. Shumë nuk kanë asnjë identifikim mbi vete, përderisa distinktivat identifikues qenë jashtëzakonisht primitivë, zakonisht prej druri apo kapsula prej pëlhure të trashë me një copë letër të futur brenda me informacionet e tyre personale dhe shumë ushtarë të Ushtrisë së Kuqe besonin se ishte ters t’i vije këto “medalione vdekjeje”. Është një ndjenjë e frikshme të ecësh mbi truallin ku kaq shumë ushtarë ranë dhe akoma janë aty.

Nga filloi shumica e kërkimit tuaj?

Sigurisht që fillova të rrëmoja duke kërkuar çdo memuar apo ditar të botuar apo të pabotuar që mund të gjeja. Për shembull, gjeta memuarin e mrekullueshëm të pabotuar të Ivan Jitonit, i cili qe atasheu ushtarak amerikan në atë kohë, në arkivat e Hoover Institution në Stanford. Gjithashtu arrita të gjej shumë dokumenta të deklasifikuara kohët e fundit nga arkivat ruse. Për shembull, ato përmbanin raporte të byrosë së censurës e cila sigurisht vazhdonte të funksiononte. Kështu, këto raporte përmendnin letra nga ushtarë dhe civilë, disa prej të cilave flisnin hapur rreth mungesës së tyre të besimit në lidershipin e Stalinit. Këto lloj letra do të shënoheshin në kuptimin që “ky dhe ai janë ndeshur me”. Pastaj intervistova shumë njerëz që janë akoma gjallë sot dhe që qenë të pranishëm në ngjarjet e atëhershme. Shumë veteranë, civilë, bile të mbijetuarin e vetëm të karvanit sekret që nxorri trupin e Leninit jashtë Moskës.

A ju interesoi koha si shef zyre në Moskë lidhur me këtë çështje?

Kam qenë shef i zyrës së Moskës dy herë, njëherë në fillimin e viteve Tetëdhjetë dhe pastaj në mesin e viteve Nëntëdhjetë. Veçanërisht në periudhën e parë, shpesh shkoja sa andej këtej nga versionet e propagandës sovjetike për luftën. Ishte aq e dukshme që ajo shfrytëzohej për qëllime të pastra politike. Por më pas fillova të kuptoj se kishte një histori të mrekullueshme për të treguar, saktësisht sepse e vërteta është shumë me komplikuar sesa mitet dhe më interesante. Çdo ditë që punojë për librin, ndjeja se po mësoja diçka të re.

Cilat mendoni se do të kishin qenë pasojat për luftën dhe për historinë e mëpasme nëqoftëse gjermanët do ta kishin marrë Moskën?

Sigurisht që historia nuk u jep përgjigje pyetjeve “po sikur?”, por jam gjithmonë i magjepsur prej tyre. Një historian ushtarak rus me të cilin bisedova, Boris Nevzorov, argumentonte se sikur Moska të kishte rënë, atëhere Hitleri do ta kish fituar luftën. Të tjerë këmbëngulin se Bashkimi Sovjetik do t’i kish mbijetuar goditjes dhe eventualisht do të godiste edhe sikur ta humbiste kryqytetin e tij. Por edhe sikur kjo të kish rezultuar e vërtetë, lufta në Lindje do të kish vazhduar shumë më gjatë, gjë që do të nënkuptonte se Lufta e Dytë Botërore do kish vazhduar gjatë për këdo, jo vetëm për Bashkimin Sovjetik, por edhe për Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë. Është vështirë të imagjinohet që lufta mund të kish qenë më keq nga sa qe, por sikur të mos kish qenë për faktin që Hitleri bëri më shumë gabime se Stalini, atëhere një gjë e tillë do të kish qenë e nevojshme. Kjo është arësyeja se përse duhet të jemi mirënjohës për faktin që Moska u mbajt, megjithëse me zor. Kjo është arësyeja e një parodie të tillë që kaq shumë nga historia e kësaj beteje u falsifikua, u shenjtërua apo u thjesht u anashkalua. Historia e vërtetë duhet treguar. / Armin Tirana – Bota.al

Loading...