Diplomati dhe historiani Shaban Murati sot ka bërë një deklaratë të fortë në lidhje me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Murati ka bërë publik një dokument sipas të cilit, Pavarësia e Shqipërisë është shpallur në datën 27 Nëntor në qytetin e Durrësit
Kjo sipas diplomatit Shaban Muratit vërtetohet nga një telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme.
Faktet e publikuara nga diplomati Shaban Murati:
Historia siç është bërë, dhe jo siç e kanë fshirë!
I-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912
Nr.6501
Tel.nr.152
Natën mes 26 dhe 27 (1912), tre krerë (pari) më dorëzuan mua, një dokument, (Një për Shkëlqesinë tuaj dhe një për Qeverinë italiane), lidhur me shpalljen e suksesshme të DEKLARATËS SË PAVARËSISË.
II-Telegram i nënkonsullit të Austro-Hungarisë në Durrës, Von Rudnay, dërguar Ministrisë së tij të Jashtme:
Durrës, 27 nëntor 1912
Nr.6645
Nr.Tel.156
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit nën brohoritje. Mutesarrifi u shkarkua. Hamid bej Toptani, governator i përkohshëm.
Mitropoliti zvarrit ta njohë ‘QEVERINË E PËRKOHSHME’.
Trupat mustafis janë dërguar në shtëpi.
Paria e vendit u doli serbëve përpara, mbi lëvizjen e tyre mungojnë njoftimet. Ata janë nisur prej Krujës.
III- Telegrami i Proklamimit të Indipendencës shqiptare, nga Lef Nosi në librin e tij ‘Dokumente historike’, 1924:
Nr.13300,
Durrës,13 Vjeshta e tretë 1328-1912
7.30 ora e ditës.
Popullit të ndershëm të qytetevet:
Elbasan, Berat, Janinë, Gjinokastër, Lushnje, Korçë, Starovë, Vlonë, Përmet.
Ju apim lajmen e gëzushme, se me hirin e të Naltit Perëndië, ndashti shpallëm indipendencën, n’emën të kombësiës sonë të shenjtë e të gjithë Shqipniës.
IV- Gazeta ‘Taraboshi’ e Shkodrës, 22 janar 1914:
Ismail Kemal Vlora më 27 nëntor 1912 e ngriti flamurin kombëtar shqiptar në ndërtesën e Qeverisë së Përkohshme në Durrës.
V-Gazeta britanike ‘Daily Telegraph’ 27.11. 1912:
Flamuri kombëtar shqiptar u ngrit në Durrës më 27 nëntor 1912 dhe ka një shqiponjë të zezë dykrerëshe ne një fushë me ngjyrë të kuqe.
VI- Gazeta austriake ‘Ëiener Bilder’ datë 1.12.1912:
Udhëheqësi shqiptar Ismail Kemal bej, në krye të një asambleje nga paria, në Durrës shpalli Deklaratën e Pavarësisë së Shqipërisë.
(Marrë nga libri ‘‘Historia e shtetit dhe së drejtës shqiptare’ i historianit të shquar Prof.Dr.Eqrem M.Zenelaj, Prishtinë, 2016, fq.340-399). /Lajmifundit.al